Me rezultatin 150 kg në shkëputje, Erkand Qerimaj i trazoi jo pak ujërat në baterinë A, duke i vendosur në presion rivalët, e këtë e pranon edhe vetë shkodrani pas marrjes së medaljes së artë, teksa shprehet: “Rezultati i vendosur ishte një limit për ta kapur të tjerët.

I vendosi në presion, dhe ata duhet që të më thyenin të gjithë mua dhe kështu ndodhi.Unë pretendoja për medalje edhe pse kam një muaj që bëj stërvitje me dhimbje dhe nuk isha në gjendjen time më të mirë. Kam humbur 3 kg për 24 orë, pasi vetëm dje kam bërë plot 7 seanca sauna. Por shkoi me sukses, duke fituar medalje ari dhe titullin kampion Europe dhe jam shumë i lumtur për këtë arritje”, ishin fjalët e para të Qerimajt pas triumfit në Europian.

I pyetur nëse e priste medaljen e artë pas asaj gare të paradites, Qerimaj deklaroi: “Të them të drejtën unë luftova për medalje, por ngjyrën nuk e dija, sepse ky është sport dhe nuk dihet se çfarë do të arrish, por e gjithë lufta ishte për të fituar medalje”.

Vitet kalojnë, por rezultatet e Erkand Qerimajt po vijnë në ngritje, teksa lidhur me këtë fakt shkodrani shprehet:“Kjo garë kishte një kuptim të veçantë për mua, sepse bëhen 20 vite me medalje, duke ngritur flamurin shqiptar, pra dy dekada dhe është vërtetë fantastike.Këtë arritje dua t’ia dedikoj familjes dhe të gjithë shqiptarëve”.

Gjatë kohës kur shkodrani nuk arriti që t’i kalonte provat në shtytje, në “Feti Borova” u regjistrua një episod i veçantë, teksa djali i Qerimajt filloi të qante në sallë, i mërzitur për rezultatin e të atit, por mbrëmja riktheu gëzimin në familjen Qerimaj.“

Djali nisi të qante, por i thashë që duhet të presim deri në fund dhe tani do t’i çoj një medalje ari në shtëpi”, e mbylli prononcimin e tij Erkand Qerimaj, si kampioni më i ri i Europës në stilin e shkëputjes, duke shprehur gjithashtu edhe keqardhje për garën e Briken Caljes.