Peshkatarët e Durrësit janë ngritur në protestë këtë mëngjes, pasi janë bllokuar nga policia kufitare për të dalë në det.

Peshkatarëve u kërkohet që çdo mjet lundrues të jetë i pajisur me aparaturën “Blue box”, mjet ky që bën identifikimin e çdo anijeje për vendndodhjen e saj. Këto masa janë marrë pas ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë, kur anija “Çelepia 2” u mor peng nga marinari egjiptian dhe nuk mund të identifikohej vendndodhja e saj për shkak të mungesës së kësaj aparature.

Sipas peshkatarëve të grumbulluar në këtë protestë, kjo është një mënyrë korruptive, pasi tenderi për aparaturën e “Blue box”-it është zhvilluar dhe fituar nga kompania “Canon”.

Kjo kompani, sipas tyre, nuk i ka në funksion aparaturat, dhe nuk mund të vëzhgohet nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare.

Nga peshkatarët kërkohen të vendosen aparatura të reja, ndërsa ata shprehen të revoltuar se pezullimi i punës së tyre, ka ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e tyre.