Vetëm dy orë ka jetuar skulptura e peshkatarit që u vendos te sheshi i “Sfinksit” në Durrës nga bashkia e qytetit. Skulptura e autorit tiranas Dylber Neziraj, zbriti në orën 17:00 të mbrëmjes së të shtunës në shesh, duke simbolizuar peshkatarin durrsak të lidhur ngushtë me detin e me historinë e qytetit tonë. Dy orë më pas, persona të paidentifikuar e kanë thyer kallamin e peshkimit që mbante në dorë peshkatari, duke e lënë në formën e një kallashnikovi.

Skulptura u vendos në një prej pikave më piktoreske e më të vizituara të qytetit të Durrësit, ndërsa fare pranë saj qëndrojnë edhe peshkatarët amatorë që kohën e lirë e kalojnë pranë detit duke gjuajtur peshk.   

E njëjta gjë ndodhi me syzet e Xhon Lenonit, të cilat janë vjedhur e thyer disa herë, me harmonikën e Bob Dilanit, kokën e Sabri Tuçit, shpatat e gladiatorëve në sheshin “Taulantia”, vepra këto të dëmtuara nga persona ende të paidentifikuar disa herë.

Në Bashki, në sektorin e kulturës, pohojnë se të gjitha këto vepra që vendosen në qyet janë në atraksion për turistët, por që po dëmtohen nga njerëz të papërgjegjshëm e të paidentifikuar. Bashkia ka marrë masa për ta rikuperuar sërish skulpturën e peshkatarit të kthyer nga deti, duke i bërë thirrje edhe ndërgjegjes së qytetarëve që të ruajnë këto vlera, të cilat janë atraksion për të gjithë turistët e shumtë që vizitojnë qytetin tonë. 

K.H.