Pas rreth 1 muaji restaurim, “Peshkatari” është rikthyer në vendin e tij pranë “Sfinksit” në Durrës.
Siç duket dhe nga fotot që “DurrësLajm” po publikon, skulptura e autorit Dylber Neziraj u vendos pasditen e sotme nën kujdesin e përfaqësuesve të Agjencisë së Parqeve Urbane aty ku qëndron që nga vitit 2016.
Sipas drejtorit të Agjencisë së Parqeve Urbane, Alton Kasembi, është bërë një punë mjaft e mirë me restaurimin e kësaj vepre arti, sidomos me kallamin e peshkimit, të konsideruar gjithnjë si “pika e dobët” e skulpturës.
Skulptura e njohur kishte nevojë urgjente për restaurim, pasi kishte pësuar dëmtime të shumta në bazamentin e saj dhe në kallamin e peshkimit.
Tashmë restaurimi e ka rikthyer atë në gjendjen e saj fillestare, ku do të vijojë të shërbejë si pikë-ndalese për fotot e kureshtarëve dhe turistëve.
Që nga ditët e para të vendosjes së saj vite më parë, skulptura është dëmtuar shpesh-herë, si rezultat i vendqëndrimit të saj pranë bregut të detit, ku ekspozohet në kushtet e paqëndrueshme atmosferike.