Sektori i peshkimit në Durrës po kalon momentet më të vështira të tij. Bankinat e portit janë plot me mjete lundruese, pjesa më e madhe e të cilave janë në gjendje të amortizuar dhe prej vitesh nuk dalin në det.
Ndërkohë peshkarexhat që janë në gjendje pune janë në luftë për mbijetesë.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, administratori i Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, Olsi Simsia, rendit disa nga arsyet kryesore, që po e çojnë këtë sektor drejt kolapsit të plotë.
“Peshkatarët janë shumë në vështirësi. Disa prej tyre kanë shitur shtëpitë për të blerë shtëpitë e peshkimit. Me ato jetojnë, e kanë jetike këtë punë. Po të dalësh sot një xhiro në peshkim, ka një pjesë të madhe të anijeve që janë pa punë”,- thotë ai.
Rritja e çmimit të naftës 2 javët e fundit, për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, e ka bërë edhe më kritike situatën në këtë industri, që dikur ishte ndër krenaritë e qytetit bregdetar.
Pjesa dërrmuese e anijeve të flotës së peshkimit është rreth 40-vjeçare dhe 90% e saj përbëhet nga punonjës egjiptianë. Ndërkohë, interesimi i të rinjve durrsakë për të punuar në këtë sektor është thuajse zero.
Javën e ardhshme, Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit pritet ta vizitojë ministri i Bujqësisë Andis Salla. Përfaqësuesit e flotës së peshkimit në Durrës pritet të paraqesin të gjitha problematikat e tyre para ministrit dhe t’i kërkojnë zgjidhje për disa nga shqetësimet më emergjente të tyre.
M.B.





