Ministri Panariti: Karburanti zë afërsisht gjysmën e kostos totale të peshkimit
DURRËS, 6 nëntor 2014 –  Krahas rritjes së disa taksave, në paketën e re fiskale po punohet dhe për nxitjen e sektorit të rëndësishëm të ekonomisë, sikurse është peshkimi; bëhet fjalë për krijimin e lehtësive fiskale për këta sektorë, si p.sh. heqja e taksës së karburantit për peshkimin.
Më 5 nëntor 2014 qeveria shqiptare prezantoi paketën në mbështetje të sektorit të bujqësisë dhe agroindustrisë.
Në konferencë ishin të pranishëm Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti; Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj; zëvendësministri i  Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Alban Zusi dhe ai i Financave z. Ervin Mete.
Kryeministri z. Edi Rama në statusin në rrjetin social Face Book shkroi:
“Në shpalljen e paketës me plot 26 masa, përmes të cilave zerohen apo ulen një sërë taksash e detyrimesh të fermerit për prodhimin bujqesor e blegtoral, hiqet taksa e qarkullimit dhe akciza e naftës për peshkimin, lehtësohen rrënjësisht një sërë procedurash doganore e burokratike për fshatin”.
Kjo paketë përmban 26 masa dhe u hartua nën shembullin e paketës fason nga një grup i përbashkët pune, i cili kryesohej nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Një nga fokuset kryesore të kësaj pakete është mbështetja e fermerit, si një pjesë e rëndësishme e zinxhirit të vlerës në ekonomi dhe promovimin e sektorit të bujqësisë, që aktualisht kontribuon në 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Në fjalën e tij, Ministri Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj theksoi rëndësinë e sektorit të bujqësisë për ekonominë shqiptare dhe filozofinë e re të qeverisë Rama për mbështetjen dhe promovimin e sektorëve potencialë: 
“Kjo qeveri atë që thotë e bën dhe sot besoj se premtimi i mbajtur për peshkimin, jo thjesht duke i hequr taksën e qarkullimit dhe akcizën, e cila do të përfitojë të gjithë atë shumë që tha ministri drejtpërsëdrejti, por e fut peshkimin në një rrugë të re që mund të kthehet në një nga instrumentet bazë të eksportit të produkteve ushqimore të përpunuara”.
Kurse Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti ka deklaruar më parë: 
“Karburanti është një element qendror në koston e peshkimit, zë afërsisht gjysmën e kostos totale të peshkimit, prandaj kjo masë  është një masë shumë lehtësuese, që do t’i japë një stimul dhe nxitje sektorit të peshkimit”.
Info/ Nga Progres Raporti 2014 i BE-së
4.13. Kapitulli 13: Peshkimi
Në fushën e menaxhimit të burimeve dhe të flotës sektori i peshkimit bashkë me shërbimin e inspektimit u transferuan nga Ministria e Mjedisit te Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Megjithatë, sektori vazhdon të vuajë nga mungesa e kapaciteteve dhe e koordinimin institucional. Ligji për akuakulturën mbetet për t’u miratuar. Monitorimi i stokut të peshkut ende nuk po realizohet. 
Në fushën e inspektimit dhe kontrollit, janë bërë hapa pozitivë për të parandaluar peshkimin e paligjshëm në liqenin e Shkodrës, përmes bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional. Është ndaluar shitja e midhjeve gurëshpuese (Lithophaga lithophaga), në përputhje me ligjin për peshkimin. Nuk janë marrë masa për të parandaluar kapjen dhe shitjen e peshqve me përmasa më të vogla sesa e lejon ligji. Drejtoria e re për Shërbimet e Peshkimit dhe Akuakulturën nuk ka kapacitetet e mjaftueshme teknike dhe administrative për të garantuar parandalimin efikas të praktikave të peshkimit të paligjshëm. Sistemi i Monitorimit të Anijeve të Peshkimit i ngritur në 2011, është bërë operacional vetëm pas një ndërprerjeje të gjatë. Nevojiten zgjidhje rentabël dhe afatgjata për mirëmbajtjen dhe funksionimin e këtij sistemi.
Për sa i përket ndihmës shtetërore, ndihma shtetërore e drejtpërdrejtë për akuakulturën filloi në 2014, me qëllim që të subvencionojë deri në 25% të shumës së paguar për peshqit e vegjël dhe ushqimin.
Për sa u përket marrëveshjeve ndërkombëtare, Shqipëria po bashkëpunon me Komisionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Peshkut Ton të Atlantikut (ICCAT) dhe ka dhënë informacion; vendi po merr pjesë rregullisht në takimet e Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun (GFCM).
Përfundim 
Pak përparim është bërë në fushën e peshkimit. Sektori ka nevojë të konsolidohet më tej nën një strukturë të vetme brenda Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Duhet të përgatitet një strategji sektoriale e shëndoshë, në përputhje me politikën e peshkimit të BE-së. Kuadri institucional dhe ligjor duhet të forcohet për të garantuar monitorim të rregullt të stokut të peshkut, si edhe për të përgatitur rregullore zbatuese për plane menaxhimi të specieve dhe llojeve të peshkimit. Duhet të akordohen burimet financiare të nevojshme për monitorim dhe kontroll adekuat të veprimtarisë së peshkimit. Kjo është thelbësore për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm të sektorit. Në tërësi, përgatitjet janë në një fazë shumë të hershme.
/Përgatiti: th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/