·        Në faqen e tij në FB Berisha ka lejuar të editohet dhe ky koment nga Zace Islami: “Po kundër Bashës që vajti dhe i uroi mirëseardhjen kriminelit serb Irenej, a ke ndonjë koment ti Sali?”

·        Kreu i Ekzekutiv bojkoton darkën me Irenejin, por përshëndet z. Nishani, e shoqërojnë zz. Meta dhe Basha

DURRËS, 2 qershor 2014 –  Guximi i patriarkut serb Irinej për të deklaruar nga Tirana se Kosova, është tokë e shenjtë e Serbisë, nuk mund të kalonte pa rënë në sy dhe pa ngjallur debate të forta e kritika të ashpra në vend, njofton e përditshmja në versionin on-line shqiptarja.com.

KRYEMINISTRI: IRENEJ NA KA FYER

Kryeministri z. Edi Rama ka zgjedhur pikërisht takimin e së hënës, 2 qershor 2014, në kryeministri, me Janullatosin, Patriarkun Ekumenik Bartolomeu I dhe primatët e kishave të tjera ortodokse, për t’iu drejtuar me gisht patriarkut serb për deklaratën e tij:

“Kolegu juaj ka abuzuar me mikpritjen tonë, duke e transformuar një festë fetare dhe provën e bashkëjetesës tonë fetare në një çështje politike. Ne jemi revoltuar dhe na ka fyer”.

E këtë qëndrim të ashpër kryeministri e ka shfaqur dhe me bojkotin e darkës zyrtare të ortodoksëve të dielën në mbrëmje, menjëherë pas ceremonisë së shenjtërimit të Katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, thotë shqiptarja.com.

JA KU MUNGON KREU I QEVERISË

“Dyrrah”-u ka gjetur në sajtin e Presidencës një foto, në të cilën pasqyrohet kryetari i shtetit z. Bujar Nishani teksa po flet në këtë darkë; aty figurojnë z. Meta dhe Basha dhe mungon Kryeministri Rama.

Në darkë, ndër të tjera, ku po e dëgjonte dhe Irenej, z. Nishani, tha ndër të tjera:

“Në cilësinë e Presidentit të Republikës, ju falënderoj edhe për mundësinë që më dhatë për të vënë në pah e për të lartësuar vlerat më të veçanta e më fisnike të popullit dhe vendit tim: bashkëjetesën historike dhe harmoninë tradicionale mes feve.”

BERISHA: RAMA ZGJEDH IRINEJ NUN TË VIZITËS NË BEOGRAD

Kurse në FB, ish-kryeministri z. Sali Berisha vazhdon editorialin e “55”-ës, kur shkruan: “Mesa duket, Edi Rama ka zgjedhur kryepeshkopin Irinej si nun të vizitës së tij në Beograd, 5 herë të shtyrë deri tani nga pala serbe”.

Ja teksti i plotë i shënimit të deputetit demokrat:  “Duke vlerësuar si historike në jetën shpirtërore të kombit tonë shenjtërimin e katedrales "Ngjallja e Krishtit", natyrisht dënoj si deklaratën e Irinej, këtij armiku të egër të shqiptarëve që nuk duhej të ftohej kurrsesi në Tiranë, ashtu dhe aktet provokuese të ulëta të suitës së huliganëve serb që e shoqëronin atë. Por këto akte nuk duhet të zbehin apo të përbaltin rëndësinë historike që ka për kishën tonë ortodokse autoqefale shenjtërimi i katedrales "Ngjallja e Krishtit".

Ultranacionalisti Irinej, që ka duar dhe shpirt të lyer me gjak shqiptarësh, i cili kurrsesi nuk duhej ftuar, me deklaratat e tij, dhe huliganët që e shoqëronin me aktet e tyre, dëshmuan se kanë ardhur me qëllim pikërisht ta shndërrojnë këtë akt të madhërueshëm hyjnor në një akt sherri të turpshëm.

Duke dënuar me ashpërsi deklaratën e kryepeshkopit Irinei, ftesën e tij në këtë ngjarje të shenjte për shqiptarët si dhe rrugaçërinë e suitës së tij, shpreh dhe një herë urimin tim më të përzemërt për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë për këtë ngjarje të madhe në historinë shpirtërore të kombit tonë. Mesa duket, Edi Rama ka zgjedhur kryepeshkopin Irinej si nun të vizitës së tij në Beograd, 5 herë të shtyrë deri tani nga pala serbe.

Unë ftoj miqtë e mi të mos konfondojnë aktet primitive të Kryepeshkopit Irinej dhe huliganëve që e shoqëronin me aktin e madhërishëm e hyjnor të shenjtërimit të katedrales "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, një akt historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. sb”

KOMENTI

Por z. Berisha ka lejuar që të botohet dhe ky koment nga Zace Islami:

“Po kundër Bashës që vajti dhe i uroi mirëseardhjen kriminelit serb Irenej, a ke ndonjë koment ti Sali?”

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/