12nentor 2015 – Sopoti e paguan shtrenjtë veprimin e zyrtarit të vet, Iridon Bahiti, i cili, pas ndeshjes me Luftëtarin në Kompleksin e Pezës, hyri në fushë dhe tentoi të godiste gjyqtarin Sokol Çekaj. Nëse këtë s’e arriti dot ta bënte, sepse ndërhynë ato pak forca policore private, që ishin aty, e pështyu në fytyrë kryesorin nga Laçi. Ky rast u përcoll nga media me shqetësimin se në futbollin shqiptar u rikthye dhuna, ndërkohë që Komisioni i Disiplinës në FSHF ka zbatuar me përpikmëri rregulloret përkatëse të garës.
Ajo pështymë i ka kushtuar 2 vite (24 muaj) pezullim nga çdo aktivitet sportiv në Shqipëri zyrtarit të Sopotit, Iridon Bahiti, i cili është njëkohësisht sekretari i Deputetit socialist të zonës, Taulant Balla. Veç kësaj, Sopoti, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, e humbet ndeshjen me Luftëtarin në tavolinë, me rezultatin 3-0 (në fakt e kishte humbur në fushën e blertë, 1-0), dhe zhvillimin e 6 ndeshjeve pa spektatorë.
Për momentin, skuadra librazhdase, e mbështetur nga deputeti i zonës, Taulant Balla, mban vendin e pestë në Grupin B të Kategorisë së Parë, me 13 pikë, 7 të tilla më pak se kryesuesi. Ky dënim i Disiplinës duket se u jep një goditje të konsiderueshme ambicieve të Sopotit për t’u ngjitur në elitë.
/portali Durreslajm/