Ylli i Manchester United, Ander Herrera ka mohuar të ketë pështyrë qëllimisht në pistën e stadiumit "Etihad" teksa po shkonte në dhomën e zhveshjes gjatë pushimit të ndeshjes. Në rrjetet sociale qarkulloi video e momentit të spanjollit ndërsa ka pështyrë mbi simbolin e ekipit të “Qytetarëve” kur po i drejtohej tunelit.
Menjëherë pas kësaj videoje kanë ardhur reagime të shumta dhe kritika për mesfushorin edhe nga drejtuesit e City-t. Këta të fundit mendojnë se lojtari e ka bërë qëllimisht këtë veprim edhe pse ai e ka mohuar një gjë të tillë. Zëdhënësi i Manchester United përmes një komunikate për shtyp sqaroi incidentin në fjalë ndërsa theksoi se 28-vjeçari nuk e ka bërë qëllimisht.
"Ishte krejtësisht aksidentale dhe e paqëllimshme"– ka thënë ai. City mund të ankohet për këtë rast te Shoqata e Futbollit e cila do të vendosë nëse Herrera e bëri me dashje apo jo. Herrera po dilte nga fusha me lojtarët e Manchester City-t, Rahem Sterling dhe Ilkay Gundogan që ndodheshin pak metra përpara tij.
Manchester United përmbysi në “Etihad” rezultatin nga 2-0 në 2-3 falë dopietës së Paul Pogbasë dhe golit të Chris Smalling. Ylli francez zhvilloi një ndeshje fantastike ndaj djemve të Pep Guardiolës duke mos i lejuar që të ngrinin trofeun atë natë.
Për "Qytetarët" shënuan Vincent Kompany dhe Gundogan në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa e dyta ka folur për "Djajtë e kuq" që e kthyen rezultatin në favorin e tyre, duke mbyllur takimin me fitore. Pas kësaj humbjeje, City duhet të presë të paktën dy javë para se të mund të sigurojë titullin e këtij sezoni në Premier League.
United do të luajë ndeshjen e radhës në kampionat ndaj West Brom ndërsa City luan sfidën e kthimit ndaj Liverpool në "Eithad" në kuadër të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve. "The Reds" e fituan në shtëpi përballjen e parë me rezultatin 3-0.
Një përballje e vështirë për djemtë e Guariolës që të kthejnë rezultatin për të prerë biletën për në raundin tjetër të Champions League.





