Për Etrit Berishën, humbja e djeshme ndaj Interit është një ndeshje që duhet harruar sa më shpejt. Portieri titullar i Atalantës pësoi plot shtatë gola, në një ditë kur çdo aksion i zikaltërve vendas përfundonte me brohoritje të “San Siro”-s. “Nëse analizohet mirë ndeshja e tij, dallohet qartë se ka faj vetëm te goli i shtatë, por njolla që ka pësuar kaq shumë mbetet. Praktikisht çdo goditje shndërrohej në gol”. Ekspertët e “Eurosport” e justifikojnë me këto fjalë notën 5 që i dhanë portierit shqiptar.Sipas tyre, numri një i Kombëtares sonë kishte faj vetëm te goli i fundit, atë që pësoi direkt nga goditja e dënimit. Banega e dërgoi topin në anën e Berishës, ndërsa ky i fundit kishte përgjegjësi pasi kishte organizuar keq murin, çka bëri që ta shikonte sferën shumë vonë.
Deri më tani Berisha ka qenë një nga pikat e forta të Atalantës. Formacioni i Gasperinit është protagonist i një kampionati mjaft të bukur, pasi si rrallëherë është në garë për një vend në Kupat e Europës.