Gjatë zjarrit të paimagjinueshëm në Delvinë një kamerë krahas flakëve ka fiksuar edhe një kalë të braktisur që ishte bërë pre e djegies. Kjo nuk kaloi pa vëmendje nga specialistët e qytetit të Delvinës.

Për këtë, pas njoftimit të marrë lidhur me kalin, gjendja e të cilit si pasojë e zjarrit ishte jo e mirë, inspektori veterinar i bashkise Delvinë, Artan Alinani dhe ai i Njësisë Administrative, Vergo, Ilir Liçaj, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve, morën masa për mjekimin, ushqimin dhe sistemimin e kalit.

Gjendja e kalit tanimë pas sherbimeve të kryera është e mirë. Madje duhet thënë se këtë kalë e mori një fondacion gjerman, që merret me mbarështimin e kuajve.

Bashkia Delvinë dhe specialistët veterinarë vlerësojnë bërjen publike të këtij rasti por në asnjë moment nuk duhet menduar se gjëja e gjallë, në rastin konkret ky kalë apo qoftë edhe ndonjë kafshë tjetër, nuk do të kishin të njejtën vëmendje për trajtimin shëndetësor.