Rasti i influencieres shqiptare Dajana Kalo, vetëm 25 vjeçe, ka nxjerrë edhe një herë në pah mosdhënien e shërbimit jetik nga QSUT dhe dështimin e shëndetësisë publike.

E reja ka pësuar një hemorragji cerebrale si pasojë e një Malformacioni Arteriovenoz (MAV) dhe ndodhet në gjendje serioze shëndetësore, e paralizuar në anën e djathtë.

Pavarësisht urgjencës, familjarët denoncojnë në rrjete sociale se për javë të tëra janë përballur me zvarritje, mungesë përgjegjësie dhe justifikime absurde nga spitali, duke e lënë Dajanën të luftojë për jetën pa ndërhyrjen e nevojshme në kohë.
25-vjeçarja ndodhet e shtruar që prej 29 dhjetorit në pavionin e neurokirurgjisë në QSUT dhe është diagnostikuar me Malformacion Arteriovenoz (MAV).

Ajo ka pësuar një goditje në tru dhe aktualisht është e paralizuar në njërin krah dhe njërën këmbë. Pavarësisht gjendjes së rëndë, mjekët nuk kanë ndërhyrë ende, pasi për të vendosur për kirurgjinë, përfshirë edhe trombectominë, duhet më parë të kryhet ekzaminimi Arteriografi (DSA).

Edhe pse në QSUT ndodhen dy pajisje për këtë ekzaminim, pas tre javësh për të renë nuk ka pasur asnjë zgjidhje: njëra pajisje pretendohet se nuk funksionon, ndërsa për tjetrën kërkohet miratimi i një mjeku që nuk e merr përsipër.
Mjeku që duhet të japë miratimin për ekzaminimin punon gjithashtu në një spital privat, i cili është e vetmja strukturë jo publike në vend që ofron këtë shërbim, me kosto që nisin nga 25 mijë euro.

Në këto rrethana, sorollatja e 25-vjeçares në QSUT merr kuptim të plotë, duke krijuar dyshime serioze për klientelizëm, monopol dhe konflikt të hapur interesi mes shëndetësisë publike dhe asaj private.

Familjarët e Dajanës janë detyruar të hapin GOFUNDME, pasi shteti si gjithmonë dështon të shpëtojë jetën e qytetarëve të saj, duke nxjerrë në pah dështimin e shëndetësisë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, drejtoresha e QSUNT, Anxhela Paparizo mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për një sistem që lë pacientët shqiptarë, në rastin konkretë edhe Dajanën, të presin mes jetës dhe vdekjes.