Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar ekspertimin mjeko-ligjor për 42 vjeçarin Egli Proga, i cili u rrah për vdekje në 10 gusht në një lokal në Pogradec.
Në akt-ekspertim përshkruhen dëmtimet e konstatuara në trupin e viktimës, në ballë, në hundë, vesh, në faqe, në supin e majtë, të cilat ” janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht”.
Sipas aktit të ekspertimit,shkaku i vdekjes së 42 vjeçarit është: “hemorragji në cipen e trurit dhe hemorragji e indit trunor”.
“Në mostrën e gjakun të viktimës u zbulua prani e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/ L” , thuhet në akt-ekspertim.
Akt- ekspertimi mjeko-ligjor i është dërguar Prokurorisë së Korçës e cila po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës.
Policia arrestoi si autor të vrasjes Denis Meçin, me akuzën e vrasjes me dashje dhe proçedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulaku Leonidha Guçe, Arjan Manellari.
Por Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për Denis Meçin nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, çfarë solli përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës.