SHBA – Mbi 40.000 amerikanë kanë firmosur një peticion për deportimin e prezantuesit televiziv britanik Piers Morgan pas mbështetjes së hapur që i bëri kontrollit të armëve shumë pak kohë pas tragjedisë së Newtown. 

Peticioni pasoi intervisten e Morganit me Larry Prat, drejtues i shoqatës së pronarëve të armëve në Amerikë, ku britaniku e quajti të ftuarin e tij "një person të rrezikshëm". Kërkesave të tilla, që postohen në websiten e Shtëpisë së Bardhë, u nevojiten 25.000 firma për të marrë përgjigje nga administrata. Fushatën e nisi një gazetar në Teksas, i cili kishte ndjekur programin e Morganit tek CNN në datën 19 dhjetor. 

Sipas tij, drejtuesi i talk show-t "u tregua agresiv ndaj kushtetutës amerikane me shenjestrimin e amendamentit të dytë të saj", i cili mbron të drejtën e individit për të zotëruar një armë. "Kërkojmë deportimin e menjëhershëm të prezantuesit britanik për shkak të përpjekjeve të tij për të minuar dokumentin themeltar dhe për shfrytëzimin e pozicionit të vet në një rrjet televiziv kombëtar duke sulmuar të drejtat e qytetarëve amerikanë",- thuhet në kërkesë. 

Morgani u pergjigj nëpërmjet Twitter-it: "Po më larguan nga Amerika se kërkoj me pak armë në qarkullim, ka ndonjë vend që do të më pranojë?" bëri shaka 47-vjeçari me kalimin e pragut të 25.000 firmave të nevojshme, e me pas shtoi: "nuk më intereson peticioni për deportimin tim. Ajo që më intereson janë ata zjarrfikësit e gjorë të New York-ut që e u vranë me armë sulmi e të tjerët që u plagosën". 

Shoqata Kombëtare e Armëve në Amerikë ka më shumë se 4 milionë anëtarë dhe kundërshton me forcë çdo iniciativë për kontroll më të rreptë mbi armët.