Një peticion, që kërkon të riluhet ndeshja Barcelona-PSG në Ligën e Kampionëve (duke parë se vendimet arbitrale të Aytekin ndikuan në rezultatin 6-1) ka marrë mbështetjen e mbi 200.000 nënshkrimeve (firmave). Barça u duk se ishte në rrugën e eliminimit nga kompeticioni më i rëndësishëm për klubet në Europë, pas humbjes së ndeshjes së parë 4-0 në “Parce des Princes”. Por, e pamendueshmja ndodhi. Të besuarit e Luis Enrique përmbysën gjithçka dhe u bënë ekipi i parë, që kapërcen një defiçit të tillë të ndeshjes së parë në këtë raund të Champions-it.
Ata shkatërruan 6-1 PSG-në në “Camp Nou”. Gjyqtari Deniz Aytekin u kritikua ashpër për punën e tij në ndeshje, duke iu dhënë vëndasve dy penallti, duke u mohuar parizienëve një të tillë. Raportet mediatike botërore kanë ngulmuar se ai ishte personi kryesor, që ndikoi në rikthimin e një disavantazhi kaq të thellë 4-0. Ndërsa tifozët e PSG-së janë ndier të dëmtuar në disa nga vendimet e turko-gjermanit, një njeri, Luis Melendo Olmedo, dëshiron që “thriller” në “Camp Nou” të përsëritet. Kërkesa u materializua në “Change.org”, peticion i cili lejon njerëzit të postojnë kërkesa të ndryshme për çështje të tilla, si të drejtat e grave, emigracioni, lufta dhe diskriminimi. Sipas Olmedo, takimi emocionues duhet të riluhet për shkak të incidenteve, që e dëmtuan rëndë PSG-në, ngaqë përmbysja e madhe erdhi si rezultat i gjyqtarit gjerman Deniz Aytekin.