Nga Bujar Qesja
E kisha bërë të njohur ftesën që më drejtoi Petrit Guma, për të qenë mik në konakun e tij. Viti 2022 po numëron ditët e fundit dhe gjëndja jonë shpirtërore është më e ndjeshme. Viti i ri krijon gjithnjë një klimë optimiste, sepse shpresat për më mirë janë të mëdha. Por nuk qeshë i vetëm. U shoqërova me dy emra të njohur të notit shqiptar, me dy emra njerëzorë dhe miq me “kokë” e me “besë burrash”: Sadik Mema dhe Sulejman Poda.
Moti na privilegjoi, duke e çelur natyrën si vetë shpirti i mikut tonë më të ri në moshë Petrit Guma. E dija fort mirë, që ato orë qendrimi, do të ishin të mrekullueshme. Kur ndodhesh pranë njerëzve me sinqeritet miqësor, kur ndodhesh pranë njerëzve që të respektojnë dhe të vlerësojnë dhe aq më shumë kur kështu është edhe e kundërta, fluturon nga gëzimi.
Jeta prej biznesmeni, i përshtatur me kodet e ekonomisë së tregut, e favorizojnë Petrit Gumën nga ana ekonomike. Shprehje e kësaj është edhe ndërtimi i nisur, në një mjedis të mahnitshëm natyror në kodrën dominuese në fshatin Marikaj. Qendruam disa orë në shoqërinë e këtij notari të njohur. Teksa u ulëm, u thashë miqve me humor:
-Jemi jo vetëm katër miq të respektuar, por edhe katër “Mjeshtra të Mëdhenj”. Veç kësaj tavolina është e barabartë: dy tiranas dhe dy durrsakë.
Nuk jam ndalur më parë si tani, me këtë mjeshtër të rrallë të sportit. Fama e tij është e madhe, pasi rezultatet e arritura janë spikatëse. Edhe komunikimi me njerëzit, është në maja të larta. Njihja mirë prindërit e Petrit Gumës. Tek vendi që në Durrës quhet “Rrugica e Dakolëve”, është shtëpia e fisit Guma. Jetonin në një kulm dy vëllezërit: Ymer dhe Lulëzim Guma. Koha ka bërë të sajën dhe që të dy morën rrugën e Italisë, duke mos qenë prezent asnjë tashmë në atë rrugicë. Ymeri punoi tërë kohën në Fllotën Tregëtare. Ndërsa e ëma e Titit, Hyri mjaft e qeshur, shërbeu në shtypshkronjën e qytetit. Kur punoja në gazetën “Adriatiku”, lidhja me shtypshkronjën ishte e përditshme. Aso kohe isha mjaft i ri, por respekti dhe miqësia me Merin dhe Hyrin mbeti e paprekur.
Biesdojmë me Petrit Gumën dhe ua kujtoj miqësinë me prindërit e tij. I tregoj gjithashtu, se nuk i harroj. Mjaft i ndjeshëm. U prek dhe sollëm në tavolinë fakte nga jeta e tyre. Që të dy nuk jetojnë. Banesat e përjetshme i kanë në Alesandria, pranë qytetit të njohur italian Torino.
Vëllezër të mjeshtrit të ujit, janë edhe Luani me Ervinin. Vini është përshtatur mjaft mirë me ekonominë e tregut italian dhe po na i zbardh faqen. Kjo është familja fisnike e Ymer Gumës dhe bashkëshortes së tij të mrekullueshme Hyrit. E tash të përqendrohemi tek Petrit Guma.
Është i datëlindjes 28 maj 1965. Fiziku i fortë, ia pushton portretin. I gjatë, simpatik dhe ndonëse ka mbi 30 vite që është larguar nga Durrësi, kripa e detit e vendlindjes ia ka mbjeshtjellur trupin. Petrit Guma është prerje njerëzore, ku shpirti i ndjeshëm shikon me vëmëndje miqtë dhe shokët. U qendron pranë. Ndihmon kur mundet.
-Sa herë që mblidhemi në gara dhe takimesh veteranësh, më tregon Sadik Mema, Titi është i gatshëm. Vjen me ne. Është kavaljer dhe nuk i “dhimbset” leku, kur shpenzon me shokë. Djalë i mirë ky durrsaku jot! E duan të gjithë, pasi të gjithë i respekton dhe i nderon. Shkurt, është mrekulli durrsake.
E cili mund të gëzohet më shumë se unë, kur jam në të njëjtën gjatësi “vale” me Petrit Gumën nga këto fjalë? Mjeshtri i notit Niko Kurani, kërkon elementë për not në një shkollë. Tit Guma ndodhej aty dhe i jep fjalën që do të vi të provoj të notoj. Befason sapo hidhet në ujë. Në garën e parë kombëtare me të rinjtë, del i dyti në 50 metra stil i lirë. Stërvitej nga dy kalorës të notit: Niko Kurani dhe Kastriot Karamuço.
Në një rast, trajneri më jetgjatë në Durrës Agron Ismailati, e shikon Gumën tek stërvitej. 14 vjeç mosha e tij. Përvoja e gjatë me notarët, nuk ia nxirrte huq parashikimin. E ndjeu se kishte të bënte me një talent të rrallë. Mënyra se si notonte, rrëshqitja mbi ujë, karakteri i garës, energjia fizike. Kaq duhej dhe hedh “spirancën” nga Petrit Guma. Dhe ky emër do të bëhej mbreti i notit shqiptar, duke e shtypur kronometrin e notimit në vitin 1977, për ta ndalur pas 15 viteve. Dhe në këtë gjatësi kohore, ky durrsak i lindur për të fituar, bëri kërdinë mbi rivalët. Ai coptoi të gjitha rekordet e mëparshme, duke vendosur firmën dhe vulën në garat e 50, 100, 200, 400, 800, 1500, 6000 dhe 12000 metrave.
Ka të drejtë ky Tit Guma, që nuk e heq nga goja dhe nga mëndja, emrin e Agron Ismailatit, i cili i dha notit durrsak dhe jo vetëm, emra të famshëm notarësh. Durrësi mbretëroi në not, pasi kishte mbretër si Agron Ismailati, të cilët “prodhuan” princër të rrallë si kryemjeshtri Petrit Guma.
Nuk kam patur rast të qendroja me Titin, si në këtë ditë magjepëse të 21 dhjetorit 2022. Dhe Zoti na ndihmoi, që në këtë pranverë në mes të dimrit, të takoja edhe një lule plot aromë, e mbjellur përjetësisht në kopështin historik të arritjeve të notit, me emrin Petrit Guma. E nxitja të më tregonte, por vështirësia qendronte tek modestia e tij. Ia nxirrja fjalët si me “grep”, pasi doja që me pistoletën e lapsit tim, të nxirrja mineral nga miniera e florinjtë e këtij Mjeshtri të Madh.
Mësova faktin më të domosdoshëm. Në rrugën 15 vjeçare, kur kryet e Petrit Gumës ishin mbuluar me ujë, përmirësoi me dhjetra e dhjetra rekorde kombëtare dhe vendosi në gjoks 48 medalje kampioni. I fola me humor:
-Po ti e paske mbuluar gjoksin me hekur, me tërë këto medalje që paske fituar! Duelet sportive të kanë veshur si heronjtë e mitologjisë, me parzamore të çeliktë, që s’ka hushtë të të godasë.
Ginesi durrsak Petrit Guma! Në 6000 dhe 12000 metra, rekordet e Tit Gumës janë të paprekura. Rekordi i 1500 metrave stil i lirë i Gumës në vitin 1982, është përmirësuar nga Klavio Meçe vetëm në 2006-tën. Distancën nga gadishulli i Karaburunit deri në Vlorë, nuk ka indur deri tani notar që ta sfidoj. Po kështu edhe në 12000 metra. Forca e talentit, pasioni i paparë, vullneti dhe përkushtimi më shumë se i jashtëzakaonshëm i Petrit Gumës, janë historia e gjallë e notit.
Sa i kursyer për veten, aq i dhënë për të mos ia “hëngër” hakun askujt. Kur erdhi nga Kina Fred Isaku, pasi mbaroi studimet e larta për not, punoi me përsosjen teknike të Petritit. Mirënjohja kalon edhe tek emri i njohur i notit të femrave Tatjana Sheshmini. I mësoi kthesat, pasi qëndrimi i gjatë në Kinë, i kishte dhënë Sheshminit shumë njohuri. Me përvojën dhe mjeshtrinë e Agron Ismailatit, me asistencën e përparuar kineze të Isakut dhe Sheshminit, plus edhe talentin e rrallë, Petrit Guma lartësoi emrin dhe bashkë me të dhe notin shqiptar.
-Shëno aty miku im, se kam respektuar gjithnjë emrin e Hysen Haxhisë (Kitrrës), atë që ka dhënë në not. Por nuk e kam arritur. Para meje që njiheshin ishin Jani Hondro, Myrteza Didadi dhe Skardilajd Shyti. Pas Shytit erdha unë. Vlonjati i fortë Shyti, mbetet idhulli im. Gati i përmirësova të gjitha rekordet e tij. Shkruaj gjithashtu që Fatmir Kërçiku (Daja), më ka qendruar afër. Vlerësime maksimale edhe për notaren vlonjate Elida Xhindi, që tani ndodhet në Amerikë. Për mua, është notarja më e mirë në historinë e notit.
Petrit Guma zhvilloi edhe disa gara ndërkombëtare, në nivele ballkanike. Meritoi medaljen e bronzit në Selanik, në 100 metra stil i lirë në fillim të viteve 90-të. Historike mbetet dhe për këtë meriton të quhet Ginesi Shqiptar i Notit, se është i vetmi që fitoi 48 medalje të arta. Kjo shifër edhe për shumë kohë, do të përbëjë lakmi për çdo sportist apo sportiste dhe jo vetëm në not. Zor se do të arrihet. Janë medalje të vendeve të para dhe në stafeta.
E gjithë veprimtaria e këtij notari me dimensione historike, është çmuar me 7 korrik 2012 me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Në segmentin kohor 1996-1999 Petrit Guma u zgjodh President i Federatës Shqiptare të Notit. Fitues i 48 medaljeve të kampionit, shoqëruar me përmirësimin e 57 rekordeve kombëtare. Nënvizohet një fakt tjetër që ia vlen. Këto shifra të avancuara, janë rregjistruar vetëm në kampionatet kombëtare, duke përjashtuar Kupat e Republikës, gara dhe takime të ndryshme zyrtare. Me siguri po të vendosnim edhe këto, do të ndesheshim me shifra të frikshme.
Petrit Guma ka një vajzë, që len “kokën”. Quhet Jona. Deri në moshën 14 vjeçare, ishte kampione absolute në atletikë, nën drejtimin e trajnerit të njohur Sabri Bejleri. Ushtroi edhe notin. Kujdesi i të jatit, bëri që Jona të mbaroj studimet e larta në Londër për ekonomi.
Dielli po perëndonte dhe më dukej se ishte varur mbi pemishtet të mbushura me hurma, ullinj dhe protokalla të shtëpisë së Petrit Gumës, atje në kodrinat e Marikajt. Kjo
kohë e bukur
, ky diell ngrohës, dukej se më përvëlonte akoma më shumë, pasi shtohej këtu edhe ngrohtësia e shpirtit të pastër si kristal të mjeshtrit të notit, të mjeshtrit si njeri, të mjeshtrit si titull Petrit Gumës.
Shkruajta sa munda, i bindur se mbetem në faqet e para të biografisë, të portretit plot dritë të Petrit Gumës, këtij durrsaku flori, të këtij njerëzori të mahnitshëm, ku dashuria dhe respekti për njerëzit nuk sosen.
Pse don shumë notin, vlerëson të përkushtuarit e tij presidentin e FSHN-së Agim Çiraku, Suela Haxhiaj, Sadik Mema, Sul Poda, Ilir Kreshpa, etj. duke mos harruar, e mos harruar, atë që besoi e besoi tek Petrit Guma deri sa mbylli sytë, Agron Ismailati.