Sot përkujtohet përvjetori i ndarjes nga jeta të Petrit Llaftiut, një emër që përfaqëson ndërgjegjen njerëzore të politikës shqiptare. Deputet i Kuvendit të parë pluralist dhe kryetari i parë i Bashkisë pluraliste të Shijakut, ai humbi jetën larg atdheut, jo në luks apo privilegj, por duke mbledhur dhe ngarkuar ndihma për popullin shqiptar.
Në shkurt të vitit 1992, Petrit Llaftiu u nda nga jeta në Itali, si pasojë e një aksidenti automobilistik, teksa po përpiqej të siguronte transportin e ndihmave humanitare për Shqipërinë. Në një kohë kur politika po kërkonte pushtet, ai zgjodhi barrën. Në një kohë kur shumë kërkonin përfitime, ai zgjodhi shërbimin.
Punonjësit e Caritas-it italian e kishin ngatërruar për hamall. Njeriu me trup të lodhur, duar të pluhurosura dhe fytyrë të rraskapitur, që punonte orë të tëra pa u ndalur duke ngarkuar kamionë, ishte në fakt deputet dhe kryebashkiak në Shqipëri. Një kontrast i fortë, që sot tingëllon si akuzë morale.
I lindur më 31 maj 1942 në Shijak, Petrit Llaftiu u rrit mes varfërisë dhe punëve të rënda. Gjatë diktaturës komuniste u mbajt në hije për shkak të “njollës në biografi”, por asnjë regjim nuk ia zbehu dijen, guximin dhe ndershmërinë. Ai u bë specialist i shquar i peshkimit, autor tekstesh mësimore dhe nismëtar i Shkollës së Mesme të Peshkimit në Durrës.
Në vitin 1991, qytetarët e Shijakut i besuan mandatin e deputetit dhe drejtimin e Bashkisë. Në Kuvend, fjalimet e tij kundër krimeve të diktaturës dhe varfërimit ekstrem të shqiptarëve u kthyen në zë të ndërgjegjes publike.
Veprimtaria e tij humanitare në Itali mbetet një nga shembujt më të rrallë të sakrificës personale në politikën shqiptare. Me pak para, pa dieta, shpesh duke fjetur në stacione treni, Petrit Llaftiu punoi ditë e natë për të siguruar ndihma për një vend që po mbijetonte.
Ditari i tij i fundit flet për shqetësimin e vetëm që kishte: kamionët me ndihma. Më 10 shkurt 1992, ai nuk shkroi më asnjë fjalë. Po atë mbrëmje, bashkë me Zef Margjinajn, humbi jetën në një aksident rrugor, në udhëtim për të pritur ndihmat që do të niseshin drejt Shqipërisë.

Deputeti ngarkonte vetë kamionët e ndihmave, punonjësit e Caritas e ngatërruan për hamall

Gjatë sistemit komunist ishte ndër ata inteligjentët “me njollë biografie”, që profesionalisht u mbajt nën hije, por në Parlamentin e parë pluralist ai shkëlqeu si humanist dhe deputet. Edhe pse për pak kohë… Petrit Llaftiu ndërroi jetë një vit pasi u votua si i zgjedhuri i Shijakut në Kuvend. Mbeti viktimë e një aksidenti automobilistik në Itali në vitin 1992, teksa po përpiqej të furnizonte kamionët me ndihma për në Shqipëri. Kjo është historia tragjike e Petrit Llaftiut aq e njohur në Shijak dhe, tashmë, 34 vite më pas, është koha që të rrëfehet gjithkund. Të kujtohet gjithkund. Sepse ai nuk ishte vetëm një njeri me mandat deputeti, por një deputet me “mandat njeriu”; profesor i shquar, iniciator për hapjen e shkollës së mesme të Peshkimit në Durrës (e para e këtij lloji në vendin tonë), kryetari i parë i Bashkisë Shijak, disident, bamirës etj.

CILI QE PETRIT LLAFTIU
Ai lindi më 31 maj 1942, në Shijak. Për të ndihmuar sadopak familjen e madhe në numër, ai u detyrua të bënte punë nga më të rëndat, si: kovaç, furrxhi dhe përfundimisht, atë të peshkatarit. Megjithatë, ai kishte një zell të paparë për dituri. Vëllezërit Besnik dhe Petrit Llaftiu, me gjithë varfërinë e tejskajshme, arritën të krijonin bibliotekën me emër në të gjithë zonën. Specialistët e peshkimit, deri edhe në dikaster, vlerësuan lart aftësitë e rralla të Petritit, prandaj u piketua për të ndjekur studimet e larta jashtë vendit për ihtiologji (shkencë për studimin e peshkut). Por “vigjilenca revolucionare” e drejtuesve në Shijak zbuloi njollën në biografi”, e cila i shkatërroi pa mëshirë ëndrrën e madhe Petritit. Pushtetarët komunistë, “të alarmuar nga zbulimi i bërë”, e dërguan djaloshin në një drejtim tjetër: si “i padëshiruar”, tashmë ai duhej të kryente shërbimin ushtarak në brigadën e punës, atje ku e kryenin “të deklasuarit”, më saktë “armiqtë e popullit”. Shkaku na qenkësh daja i tij, Idriz Smoqi, ish-partizan i Batalionit të Shijakut, të cilin e kishin vrarë tradhtisht pas krahëve, në vitin 1943, por që dikush u interesua që ai të njollosej si “armik i popullit” (Për sqarim: Prej vitesh atdhetari Idriz Smoqi është shpallur “Dëshmor i Atdheut”). Pasi përfundoi shërbimin ushtarak, Petriti u gjend në peshkim, në peshkarexhën “Taraboshi” të Stacionit të Kërkimit të Peshkut. Këmbëngulja dhe aftësitë e rralla në fushën e peshkimit bënë që ai të fitonte mbi pengesat shumëvjeçare të regjimit. Më në fund Petriti u regjistrua me korrespondencë në Fakultetin Bio-Kimi, në Tiranë (kur tashmë qe bërë prind, po kështu i ndodhi edhe vëllait tjetër, Besnikut). Pas përpjekjeve të vazhdueshme, ai u bë edhe iniciatori për hapjen e Shkollës së mesme të Peshkimit në Durrës, e para e këtij lloji në vendin tonë. Kontributi i tij në hartimin e programeve, teksteve e planeve mësimore të kësaj shkolle qe vendimtar. Përvojën e gjatë pozitive Petriti e shkriu me arritjet më të mira të shkencës botërore të peshkimit. Kështu, duke i ballafaquar sukseset e tij me burime shkencore në gjuhët italiane, angleze dhe ruse, arriti të bëhej autori kryesor i pesë teksteve origjinale të botuara për herë të parë në vendin tonë për peshkimin: “Teknika e peshkimit-1” (1984), “Teknika e peshkimit- 2”(1985), “Mbarështimi i p e s h k u t – 1 ” ( 1 9 8 5 ) , “Mbarështimi i peshkut- 2”(1987) dhe “Teknika e peshkimit-3” (1988). Këto punime me vlerë janë edhe sot një ndihmesë e madhe për arsimin profesional. Sakaq, Petriti nuk u pajtua asnjëherë me padrejtësitë e mëdha të kohës dhe mendimet e tij shpesh i shprehte hapur. Kjo ishte arsyeja pse ai ishte vënë në shënjestër si “njeri që flet shumë”. Nuk harrohet një rast tepër sinjifikativ, kur autoritetet më të larta të rrethit inskenuan një gjyq për të demaskuar një kuadër lokal. Pikërisht atëherë kur askujt nuk i shkonte mendja, Petriti me guximin që e karakterizonte dhe gojëtarinë e tij, i doli hapur në mbrojtje, duke rrezikuar seriozisht veten dhe familjen. Kjo ngjarje dhe disa të tjera të ngjashme bënë që Petriti të quhej “disidenti shijakas”.

DEPUTET DHE KRYEBASHKIAK
Në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991, populli i Shijakut ia dha votën për deputet Petrit Llaftiut, ndërsa pak kohë më vonë e zgjodhën kryetarin e parë të Bashkisë pluraliste të qytetit. Në Kuvendin e parë pluralist të Shqipërisë, ai ishte ndër deputetët e respektuar, që bëri për vete njerëzit e thjeshtë në mbarë vendin. Të gjithëve na kujtohen fjalët e tij plot patos dhe vërtetësi, me të cilat demaskonte diktaturën komuniste. Në një rast, nga foltorja e lartë e Parlamentit, ai ngriti peshë tërë vendin, kur përmendi se si për një bistak rrushi apo për një dorë qershish, gjyqi famëkeq partizan pushkatonte bijtë e popullit, gjoja në emër të drejtësisë komuniste. Petriti ishte gjithmonë aktiv, gjithmonë në lëvizje. Me një grup shijakasish ai shkoi për ngushëllim te familjarët e dëshmorëve të demokracisë në Shkodër, u takua me ishtë përndjekur politikë, zbriti në galeritë e minierës së Valiasit, ku ndodheshin të ngujuar minatorët e grevës së urisë, bisedoi ngrohtësisht me punonjës të Radio- Televizonit dhe vizitoi kampet e të burgosurve ordinerë në Lezhë e Kavajë. Në të gjitha rastet, ai ngriti zërin e protestës për padrejtësitë që kishin arritur kulmin dhe që e kishin çuar popullin në varfërim të tejskajshëm.

ANA HUMANISTE
Një kapitull i veçantë dhe shumë domethënës përbën për të paharruarin Petrit Llaftiu veprimtaria që ai zhvilloi në Itali, për të siguruar ndihma për popullin shqiptar. Zor se mund të gjendet një rast tjetër, që një deputet pa dieta, me pak para në xhep, të udhëtojë nëpër Itali për të grumbulluar ndihma jetike për popullin e tij. Zor se mund të ketë një shembull të dytë që një njeri i tillë, një përfaqësues i popullit si Petrit Llaftiu, të flejë jashtë, në qiell të hapur apo nëpër stolat e stacioneve të trenit, në mjaft raste edhe pa ngrënë dhe që ndihmat t’i ngarkonte vetë në maunet dhjetëratonëshe! Kjo është arsyeja e habisë së madhe që shfaqnin punonjësit e Caritas-it në Itali, kur mësonin se njeriu me trup muskuloz, i mbuluar nga pluhuri, që për orë të tëra pa u lodhur i ngarkonte vetë automjetet me ndihma bujare të popullit italian, duke ia kaluar edhe një “hamalli të vërtetë”, ishte “deputet në Parlamentin shqiptar”. Përveç kësaj, Petriti tregoi një përkujdesje të veçantë për qindra refugjatë, të cilët kishin marrë rrugën e mërgimit, pa e ditur se si do të ishte e ardhmja e tyre.

DITARI I FUNDIT
Në Itali, Petriti u njoh dhe u lidh ngushtë me atdhetarin e shquar mirditor, Zef Margjinaj. Të dy ata, ndonëse për një periudhë të shkurtër, bënë shumë për popullin shqiptar. Shqetësimet e ditës Petriti i hidhte në ditarin e vet personal, që edhe sot ruhet si relikte e shtrenjtë nga ana e familjes. Më datë 7.02.1992 ai shkruan: “Po marrim ngarkesën e parë nga Spilimbergu… Shqetësim për ne janë makinat e ndihmave”. Në një faqe tjetër lexojmë: “Më datën 9.2.1992 kam kaluar një natë pa gjumë. Truri më punon vetëm te makinat. Morëm njoftim se na kanë dërguar edhe një makinë”, kurse të nesërmen do të shkruante vetëm: “10.2.1992… dhe asgjë tjetër. Në mbrëmjen e kësaj dite, kur ai në ditar si zakonisht shënonte mbresat e një pune të lodhshme apo diskutonte me mikun e vet të ngushtë, Zefin, televizioni italian dha mandatën. Në aksidentin automobilistik në Gorica, ndërkohë që udhëtonin nga Cividale për në Trieste, ku do të prisnin ardhjen e makinave për t’i ngarkuar me ndihma humanitare për popullin shqiptar, Petriti dhe Zefi kishin humbur jetën. Shtypi, radioja dhe televizioni italian, si edhe media shqiptare e asaj kohe, i bënë jehonë të gjerë kësaj ngjarjeje tepër të dhimbshme, duke dhënë vlerësime të larta për kontributin e shquar të deputetit demokrat, Petrit Llaftiu dhe bashkëpunëtorit të tij, Zef Margjinaj. Me dhjetëra telegrame ngushëllimi nga personalitete të larta të vendit e të huaj, nga parti apo individë të thjeshtë i erdhën familjes, ku shprehej konsiderata më e lartë për këtë bir të denjë, jo vetëm të Shijakut, por të gjithë Shqipërisë. Varrimi madhështor tregoi edhe një herë se sa lart i vlerëson demokracia bijtë e saj të vërtetë.