Tiranë, 4 mars 2014– Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ishte duke folur për frymën e bashkëpunimit me presidentin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, kur një burrë rreth 60 vjeç i qëlloi me vezë. Në përpjekjen e dytë për të qëlluar me vezë, personi në fjalë nuk ia arriti qëllimit, pasi ushtarët e gardës ndërhynë në kohë. Sipas policisë, personi në fjalë quhet Mustafa Gjyzeli dhe është 68 vjeç. Mësohet se Gjyzeli ka goditur me vezë makinën e Vasilit edhe një vit më parë.
Kreu i grupit të LSI-së ka ruajtur qetësinë, duke vijuar deklaratën për mediat, ndërsa efektivët e Gardës kanë bërë të mundur ndalimin e autorit të sulmit, i cili u dërgua në Komisariatin Nr. 2. Nuk dihen ende arsyet e këtij incidenti, por dyshohet se ky person është me të meta mendore.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





