Deputeti i Partisë Socialiste Alfred Peza i bëri një sfidë kolegut të tij Ben Blushi që të zbulojë emrin e deputetes që është kërcënuar se do t’i pushonin vajzën nga puna nëse mbështeste tezat e tij. Pak ditë më parë, Blushi tha se një kolege i kishte treguar në konfidecialitet se një deputete e PS-së ishte kërcënuar nëse e mbështeste.

“Për sa i përket pretendimit të Blushit se po kërcënohen deputetët  kjo nuk është e vërtetë. Unë e sfidoj Ben Blushin të nxjerri emrin e koleges tonë që është kërcënuar dhe të nxjerri kush e ka kërcënuar. Dhe unë Alfred Peza nuk qëndroj asnjë sekondë në PS. O ai që e ka kërcënuar, o unë. Të nxjerri kush është kërcënuesi. Nëse nuk merren masa për kërcënuesin, atëherë unë nuk qëndroj më në PS”, tha Peza gjatë emisionit “Opinion”.