Bizneseve që gjobiten tri herë brenda një periudhe të shkurtër kohore për shkeljen e ligjit antiduhan, do t’u pezullohet licenca.
Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda, në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, bën me dije se pas ndryshimeve të vitit 2014, ligji “Për mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit” pritet të pësojë sërish ndryshime.
Sipas Dedës, kjo do të bëhet pasi është vënë re që një sërë subjektesh, pavarësisht se gjobiten vazhdimisht, janë të prira të paguajnë gjobat dhe të lejojnë pirjen e duhanin në ambientet e brendshme të biznesit.
“Ne po mendojmë të ndryshojmë ligjin dhe për bizneset që gjobiten disa herë brenda një periudhe shumë të shkurtër, do t’u pezullohet aktiviteti nga 10 ditë deri në 60 ditë. Me ndryshimet ligjore do ta kemi ne si inspektorat të drejtën për ta bërë këtë gjë. Kush merr gjobën e tretë brenda një afati 1 ose 2-mujor, menjëherë do të marrim masë për pezullim”, u shpreh Deda.
Aktualisht po pritet miratimi nga Ministria e Drejtësisë, sepse është duke u parë përputhshmëria e ligjshmërisë.