26 nëntor 2013- Shumica e pasagjerëve që u bllokuan dje në Aeroportin e Rinasit nga pezullimi i fluturimeve të kompanisë “Belle Air” gjatë pasdites kanë fluturuar me anë të avionëve të ofruar nga kompania “Blue Panorama”.
Përfaqësuesi i kompanisë “Blue Panorama”, Filipo Giorno, gjatë një interviste për mediat është shprehur se ka ndihmuar rreth 1000 udhëtarë të cilët u bllokuan gjatë ditës së djeshme në Aeroportin e Rinasit nga pezullimi i fluturimeve të kompanisë “Belle Air”.
"Ashtu si kompanitë e tjera evropiane jemi kontaktuar për të kryer disa fluturime nga Aeroporti i Tiranës dhe pasi e vlerësuam këtë ofertë, menduam se është një mundësi e mirë. Ne jemi kontaktuar nga një agjenci e cila ka ndërmjetësuar për udhëtimet, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kompania ajrore. Kemi dërguar nga aeroporti i Tiranës drejt Milanos, Bolonjës dhe Bergamos rreth 800 deri 1000 vetë. Ne kemi bërë një akord që pasagjerët të paguajnë 60 euro për person, duke përfshirë edhe bagazhet brenda.
Shifra 60 euro përfshin edhe taksat aeroportuale edhe bagazhet. Më vjen keq se çfarë i ka ndodhur “Belle Air”, se mbetën mijëra persona pa punë. Ne u shkojmë përballë të gjitha kërkesave për tu ardhur në ndihmë njerëzve. Po kërkojmë autorizime për asistencën teknike duke qenë se jemi një kompani prestigjioze', u shpreh Giorno.





