GJIROKASTËR – 12 aktorë të teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër, janë ndaluar të hyjnë në qendrën e punës nga drejtuesit e këtij institucioni. Ka qenë një urdhër i drejtorit të institucionit, Thimjo Fili, që ka ndaluar hyrjen e aktorëve në godinën e teatrit.
Aktorët e teatrit të Gjirokastrës me një veprimtari të madhe skenike, thanë se nuk kanë asnjë njoftim zyrtar se përse janë pezulluar nga puna dhe kanë kërkuar sqarime për këtë vendim, që sipas tyre, është i padrejtë dhe i pambështetur në ligj.
Regjisori Vasil Çuklla, shprehet se për shkak të mungesës së fondeve dhe ndërprerjes së investimeve prej bashkisë së Gjirokastrës është pezulluar edhe puna për vënien në skenë të shfaqjes së parë të këtij viti të përgatitur me seriozitet nga trupa e aktorëve.
Ndërkaq, drejtuesit e teatrit thanë se, për herë të parë këtë vit janë hartuar kontratat e punës të cilat përcaktojnë marrëdhënien e punës mes aktorëve dhe bashkisë, pas konvertimit të teatrit “Zihni Sako” në Kompani Kulturore Teatrale.
Thimio Fili, drejtor i teatrit tha se, me ndryshimin e profilit të teatrit, aktorët duhet të firmosin një kontratë 1 vjeçare për të cilën ata hezitojnë dhe nuk bien dakord. Në këto kushte, sipas Filit do të rekrutohen aktorë të rinj dhe teatri do të rinisë funksionimin.
Aktualisht teatri i vetëm i Gjirokastrës gjendet në vështirësi funksionimi prej mungesës së fondeve dhe investimeve. Prej një periudhe rreth 10-vjeçare produktiviteti i këtij teatri ka qenë 1 shfaqje në vit, duke zbehur kështu edhe jetën kulturore në Gjirokastër.