Vetëm 2 nga 10 vendbazimet e mjeteve motorike ujore që gjenden në vijën bregdetare të Durrësit kanë marrë certifikatën e Operatorit Turistik.

Kontrollet e ushtruara këto ditë nga Task-Forca për Sezonin Turistik, që funksionon pranë Prefekturës Durrës kanë konstatuar se në 8 vendbazimet e tjera mungon certifikata e lëshuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

“Janë pezulluar të gjithë ato subjekte, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre turistik dhe shfrytëzojnë këto vendbazime ende të papajisur me certifikatë. Vetëm dy prej tyre kanë certifikatën e operatorit turistik dhe mund të ushtrojnë veprimtarinë lirisht me motorët e ujit, jet ski etj.”

Specialisti për turizmin pranë Prefekturës Durrës, Oltsen Gripshi kërkon nga subjektet private që menaxhojnë këto vendbazime të pajisen sa më shpejt me certifikatë, në të kundërt penalitetet janë të rënda.

“Nëse do të kapen në shkelje të ligjit, ndaj tyre do aplikohen masat administrative përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë të reja. Përveç kësaj, mjetet motorike bllokohen deri në 30 ditë”.

 Jemi në mesin e sezonit turistik dhe vija bregdetare e Durrësit frekuentohet në masë të madhe nga pushuesit, sidomos në fundjavë.

Domosdoshmëria për të pasur vrojtues përgjatë gjithë vijës bregdetare, që të evitohen ngjarjet tragjike mbetet ende një problem që evidentohet nga Task Forca.

Subjekteve iu është lënë detyrë që vrojtuesit e plazhit të jenë në krye të detyrës për ruajtjen e sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda, të cilat mund të çojnë edhe në humbjen e jetës së pushuesve.

M.B.