Mblidhet sot rektorati i Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës.
Lajmi është dhënë përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook ku ndër të tjera, bëhet me dije se në mbledhje është vendosur pezullimi i provimeve të ndërmjetme, pasi për këtë semestër do të ketë vetëm provime finale.
Mësohet se studentët do të lajmërohen për fillimin e procesit mësimor pasi të inspektohen tre godinat universitare.
NJOFTIMI I PLOTË
Në një situatë që sa vjen e bëhet më optimiste në qytetin e Durrësit, u mblodh sot Rektorati i Universitetit "Aleksandër Moisiu".
Në mbledhje, dekanatet u zotuan për hartimin e një databaze me gjendjen e studentëve dhe pas kësaj në bashkëpunim me Shtabin e Emergjencave dhe hotelet qytetase do të shqyrtohen mundësitë për sistemimin e të tyre në këto mjedise.
Gjithashtu u vendos pezullimi i provimeve të ndërmjetme. Këtë semestër do të ketë vetëm provime finale.
Në bashkëpunim me institucionet qendrore, ato vendore dhe ekspertët e huaj, UAMD do të inspektojë të tre godinat universitare. Vetëm pas kësaj studentët do të lajmërohen për fillimin e procesit mësimor.
Për këtë, znj. Rektore e Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, gjatë një takimi të zhvilluar në Bashkinë e Durrësit mori edhe angazhimin e kryetarit të saj.
#UAMD





