Ministri i ri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Maqedonisë, Oliver Spasovski ka njoftuar të enjten për pezullimin nga puna të 23 oficerëve të lartë të policisë për shkak të dyshimeve mbi rolin e tyre në ngjarjet e dhunshme në parlament, më 27 prill.
Një grup pune në Ministrinë e rendit ka përgatitur një raport mbi ngjarjet e 27 prillit dhe ka gjetur se pa patur shkelje të ligjit për policinë. Sipas raportit, policia ka dështuar në kryerjen e detyrës për shkak të ndikimit politik. Raporti lë të kuptohet se gjatë këtyre ngjarjeve policia nuk ka respektuar procedurat, se ka munguar komanda për organizimin e njësiteve policore, se nuk ka pasur përgjegjësi të përcaktuar, kanë munguar njoftimet operative të shërbimeve, shtabi operativ nuk e ka vlerësuar situatën, plani i skenarëve për neutralizim nuk është aktivizuar dhe se policia është penguar nga disa deputetë për mbylljen e dyerve të parlamentit, thekson raporti.
Ministri Spasovski nuk i bëri publikë emrat e oficerëve të pezulluar të policisë për shkak të natyrës së klasifikuar të raportit, siç tha.
“Raporti do t’i dorëzohet Prokurorisë Publike e cila do të përcaktojë të gjitha përgjegjësitë personale dhe objektive”, tha ministri i rendit Oliver Spasovski, gjatë një konference me gazetarë.
Sipas tij, në këtë ministri kishte pasur një urdhër për përpilimin e një raporti tjetër, menjëherë pas ngjarjeve të 27 prillit, që kishte për qëllim heqjen e përgjegjësisë së personave të caktuar brenda policisë.
Edhe ish-Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë teknike, Agim Nuhiu pati akuzuar drejtpërdrejt shefin e shtabit operativ Mitko Çavkov, i cili ishte drejtor i Byrosë për Siguri Publike, për mungesë veprimi dhe për ndikim politik nga partia VMRO-DPMNE.
Deri tash Prokuroria publike nuk ka marrë në pyetje asnjë prej zyrtarëve të lartë të policisë të dyshuar për dështimin e mbrojtjes së parlamentit dhe ligjvënësve dhe as vetë deputetët e VMRO-së për të cilët janë publikuar video duke hapur dyert e parlamentit që të hynte turma e sulmuesve.
Kryeministri Zoran Zaev, i cili mori lëndime gjatë këtyre sulmeve, është shprehur përsëri se VMRO-DPMNE-ja ka kërkuar amnisti të përgjithshme lidhur me dhunën e 27 prillit. Por, Zaev thotë se rasti duhet të procedohet nga prokuroria publike dhe fajtorët të japin përgjegjësi. Në këtë kuadër, qeveria ka ngritur procedurë për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm Marko Zvërlevski, i cili fajësohet për shkak të mungesës së veprimit ndaj një sërë denoncimesh kundër zyrtarëve të dyshuar të VMRO-së jo vetëm për 27 prillin por edhe për një numër rastesh të mëhershme./VOA