Në një dalje për mediat, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka njoftuar se pas hetimit një mujor, task-forca e ngritur nga katër Ministri ka propozuar revokimin e lejeve për 12 subjektet e fundit që ushtrojnë aktivitetin e guroreve në zonën e mbrojtur Krastë-Vrion, në malin e Krujës.

"Përfundon kontrolli i plotë i guroreve në Krujë,  për 30 vite është shfrytëzuar pa asnjë kriter. Pas një periudhe një mujore, task-forca i ka provozuar katër Ministrave masën e revokimit të aktivitetit për 12 subjektet e fundit që kishin mbetur dhe ushtronin aktivitet në zonën e malit të Krujës."

Ministri Klosi tha se biznesi i guroreve duhet të kuptojë së ka ardhur koha për zbatimin e legjislacionit, teksa bëri me dije se guroret në malin e Krujës do të zhvendosen në një vend tjetër.

"Do të nisë puna për rehabilitimin e kësaj zone, është shfrytëzuar në mënyrë barbare. Shteti do të veprojë me gjithë forcën e tij ndaj çdo aktiviteti që dëmton mjedisin."