Pezullohet nga detyra anëtari i KPA-së, Ardian Hajdari. Vendimi u mor një ditë më parë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
“Pas vënies në dijeni për marrjen në cilësinë e të pandehurit të gjyqtarit Ardian Hajdari nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua më datë 07.02.2022, Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila me vendimin nr.13, datë 07.02.2022, në mbështetje të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi: Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari”.
Anëtari i KPA akuzohet nga SPAK për fshehje të pasurisë dhe mosdeklarim të saj. Në kallëzim thuhet se për vitin 2017 Hajdari nuk ka deklaruar asnjë të ardhur në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë, ndërkohë që, sipas kallëzuesve, ai ka ushtruar profesionin e avokatit në disa raste.