DURRËS, 24 nëntor 2014 – Durrësi është qytet “bujar” dhe nuk ka nevojë për bodigardë vlerash durrsake, që të mbrojnë kauza false. Në vend të kauzës së famshme të shatërvanit, Durrësi ofroi një kauzë reale sot paraditen e 24 nëntorit. Gjatë punimeve për betonim-rivitalizim të sheshit "Liria" u zbulua një pus uji me vlera të veçanta arkeologjike. 
Pusi me diametër rreth një metër dhe me thellësi të paktën 10 metra është një ndërtim, që pasqyron jetën e qytetit gjatë 2 mijëvjeçarëve. Duket, që pusi ka funksionuar vazhdimisht për banorët e qytetit, që në periudhën e fillimit të pushtimit romak dhe deri në fillim të shekullit të XIX, sepse Lordi Evans që vizitoi Durrësin në cerekun e tretë të shekullit XIX nuk e përmend pusin, me gjasa ai në këtë kohë nuk ishte funksional, ose ishte i mbuluar fare. Në pus, me një shikim të shpejtë dallohen punime muri me gur tipike ilire si edhe mur romak i teknikës “Opus Mixtum”. Në pus kemi edhe shtesën e ndërtuar gjatë pushtimit turk me gurë, madje edhe të marra për ripërdorim nga ndërtesat antike të qytetit. Se ç’ vlera arkeologjike ka ky pus mjafton ta krahasojmë me Fontanën venedikase (Pusi i Tophanasë-Depos së barutit) i cili është monument kulture i klasit të parë dhe është 1000-1100 vjet më i ri, se pusi në fjalë.
Tashmë, punimet në Sheshin Liria janë pezulluar me urdhër të z. Ledion Lako drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Ky pezullim do t’i krijojë një problem real Kryebashkiakut Dako, të ngjashëm me problemin e Sheshit “Skënderbej” në vitin 2011, që mbeti varr i hapur në mes të Tiranës.
Rama, në vitin 2011 humbi mandatin, ndër të tjera edhe për një sasi votash të humbura nga qytetarët tiranas, që nuk e votuan për herë të katërt, se ua sillte qumështin e nënës në majë të hundë,s me trafikun super të rënduar dhe pluhurin e sheshit “Skënderbej” që nuk u mbarua dot kurrë, para zgjedhjeve të 2011. Sheshi “Liria” në Durrës, a do ketë vallë, fatin e Sheshit Skënderbej në Tiranë?! A do ta penalizojnë durrsakët, Dakon në 2015 për Sheshin “Liria” siç penalizuan tiranasit Ramën në vitin 2011 për Sheshin Skënderbej? Mbetet për të parë. Zgjedhjet vendore nuk janë aspak larg.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






