Dronët që do të monitorojnë nga ajri dhe pezullimi i traktatit të Shengenit nga data 10 deri më 30 maj, janë vetëm dy nga masat e sigurisë që ka marrë Prefektura dhe Kuestura e Barit bashkë me inteligjencën italiane, për shkak të G7-tës, që zhvillohet në qytetin bregdetar në datat 11-13 maj. Kontrollet në porte, aeroporte dhe stacione do të jenë të rrepta dhe kontrollit kufitar do t’i nënshtrohen edhe personat që vijnë nga vendet anëtare të BE.

Madje në Bari është dhënë alarmi jo vetëm për bllokimin e lëvizjes, por edhe për rrezikun e terrorizmit, raportojnë mediat italiane. Për këtë arsye po studiohet çdo masë sigurie, duke shkuar deri tek përdorimi i dronëve për të monitoruar nga lart, që në rast rreziku të mund të ndërhyhet menjëherë.

Nga qytete të tjera drejt Barit do të shkojnë përforcime, policë e karabinierë dhe trupa speciale, që do të impenjohen në një çështje delikate siç samiti financiar i G7-tës, ku do të marrin pjesë 400 delegatë nga shtete të ndryshme.Mediat fqinje shkruajnë ndër të tjera se në disa rrugë të qytetit do të lejohet qarkullimi vetëm pas verifikimit të identitetit, ndërsa në rrugë të caktuara lëvizja do të jetë absolutisht e ndaluar.