Pianistja austriake Mitra Kotte ka mbërritur në Shqipëri për një koncert dy ditor në Durrës e Tiranë. Para koncertit të saj në Durrës, artistja nga Viena u magjeps nga vizita në amfiteatrin e qytetit.  

Koncerti në Durrës u mbajt në në klubin e artit Sigal.

22-vjeçarja Kotte, fituese e shumë çmimeve, kombëtare e  ndërkombëtare si pianiste soliste dhe në muzikë dhome, solli për publikun e zgjedhur durrsak vepra nga kompozitorët më në zë botërorë, si Franc Schubert, Domeniko Scarlati, Frederik Chopin, Ivan Erod, Ludvik Van Beethoven, etj.

Artistja austriake në një prononcim për mediat tha se ardhja e saj u mundësua nga bashkëpunimi me ambasadën vjeneze në Tiranë. Duke folur për mbresat e saj për qytetin e Durrësit, ajo u shpreh e mahnitur nga magjia që përshfaq amfiteatri, ky objekt i lashtësisë durrsake.

Ambasadori austriak në Tiranë përshëndeti aktivitetin duke u shprehur se ngritja e urave në fushën e kulturës bashkon 2 popujt miq, shqiptarë e austriakë.

Drejtoresha e klubit të artit Sigal, Mimoza Mele nënvizoi faktin se aktiviteti u mbajt falë bashkëpunimit të ambasadës vieneze me këtë klub arti, bashkëpunim i cili do të vijojë edhe në të ardhmen.

Pianistja Kotte, sot në mbrëmje, do të japë një koncert në kryeqytet për publikun artdashës.

Pianistja 22-vjeçare, prej moshës 4-vjeçare ka nisur mësimet në piano në shkollën e muzikës në Vjenë. Aktualisht vijon studimet si pianiste soliste në Universitetin e Muzikës dhe  Arteve në Vjenë. Ka marrë pjesë në specializime të shumta me shumë profesorë e kompozitorë.

Në gusht të 2011 u nderua me çmimin “Njohje e veçantë” në konkursin e tretë ndërkombëtar të pianos në Vjenë. Po atë vit fitoi çmimin “Junior” dhe “Schubert” , për interpretimin më të mirë të veprave të Franz Schubert në konkursin  e 11-të ndërkombëtar të Pianos në Mynih. Në Kinë ka fituar çmimin e 2-të në konkursin ndërkombëtar të interpretuesve të rinj të Moxartit, etj.

K.H.