Kristel Karagjozi ka filluar të studiojë në piano që në moshën 7-vjeçare, në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” të qytetit të saj të lindjes, në Durrës. Ndërkohë, falë talentit të saj natyror dhe punës këmbëngulëse studimore, ajo ka marrë pjesë në shumë kompeticione në Shqipëri, duke korrur edhe trofe të shumtë. Ajo ka fituar çmimet e para dhe absolute në festivale, si Epta Albania, Pianisti i Ri, Ars Kosova, Tirana Talent, Pjetër Gaci, etj. Ajo ka marrë pjesë edhe në evenimente jashtë vendit, si në Barleta, Kozenca, Osimo, etj.
Vetëm pak ditë më parë, ajo i ka shtuar edhe një tjetër çmim virtuozitetit me të cilin ajo luan në piano. Në Festivalin “Pianisti i Ri”, i zhvilluar në Prishtinë, Kristel fitoi vendin e parë, ndërkohë që mori edhe çmimin e madh nga Festivali Ndërkombëtar i Muzikantëve të Rinj.
Pikërisht falë këtij çmimi, ajo do të performojë, më 31 mars të vitit të ardhshëm, në një koncert me Filarmoninë e Kosovës. Asaj iu dha gjithashtu edhe një çmim tjetër, për një performancë që do të zhvillojë në Amarante të Portugalisë, gjatë koncertit të pianistit të shquar portugez Vasko Dante Rroca, i cili ishte edhe kryetar i jurisë së Festivalit “Pianisti i Ri”.
Këtij aktiviteti dhe suksesit të pianistes së re durrsake i dhënë një hapësirë të gjerë edhe mjaft prej televizioneve të Kosovës.