Muzika konsiderohet ilaç për shpirtin, jo vetëm për shkak të kënaqësisë estetike që na dhuron një kompozicion i arrirë dhe melodioz, por edhe sepse kuron pacientë të sëmurë.

Dëshminë se çfarë tingulli dhe muzika shkaktojnë në trupin tonë përmes muzikoterapisë na e shpjegon pianistja durrsake Enisa Tërniqi, e cila prej vitesh jeton tashmë në Itali.

Pianoja është pjesë e pandarë e jetës së saj prej 15 vitesh, por efektin e muzikoterapisë Enisa e provoi fillimisht tek vetja e saj.

“Historia ime nis me covid-in. E përjetova keq covidi-n. Kisha shumë pak që kisha nisur të merresha me muzikoterapinë dhe efektin e praktikoj fillimisht tek vetja dhe shikoj rezultate mahnitëse. Nga aty nis studimet, krijoj trajnimin tim dhe bëj qelizat që të vallëzojnë me ritmin e universit”-, thotë ajo për “DurrësLajm”.

E kombinuar me seminare ku shpjegohet rëndësia e muzikës për trajtimin e sëmundjeve dhe mbrëmje ku muzika është kryefjalë, efekti i muzikoterapisë jep rezultate fantastike. Një prej tyre na e tregon pianistja 30-vjeçare.  

“Kujtoj rastin e një vajze që vuante nga skleroza multiple. Nuk ecte prej kohësh dhe në trajnimin që zgjati një muaj, ndërsa ishim në javën e tretë kemi qenë në grup live, kur vajza mori guximin dhe forcën dhe ngrihet nga karroca. Kishte shumë kohë që nuk ishte ngritur prej saj. Kjo ka qenë një nga pikat më kulminante të karrierës sime”.

Por për cilat sëmundje, muzikoterapia është më e suksesshme?

“Fillojmë me stresin, që në ditët tona është i pashmangshëm, më pas me ankthin, pagjumësinë, me probleme të ndryshme të pjesës së fizikut dhe anës emocionale. Kurojmë duke nisur nga problemet emocionale dhe ato fizike. Muzikoterapia është përdorur që në lashtësi, pra është një metodë e rikthyer fuqishëm në kohën tonë me të rejat dhe duke e përshtatur me jetën që bëjmë tani”,- thotë Tërniqi.

Të ardhmen Enisa Tërniqi e projekton pikërisht në këtë fushë, për të dhënë dhe ajo kontribut që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e muzikës dhe të nxjerrin benefite prej saj. 

M.B.