Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka deklaruar se 40 emigrantët e parë të paligjshëm do të transferohen shumë shpejt në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigracionit.

“Me protokollin e bashkëpunimit Itali-Shqipëri, po shqyrtojmë mënyra të reja për të menaxhuar fenomenin migrator dhe kemi besim te vendimet e ardhshme të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, për çështje që për ne tashmë janë të qarta”, deklaroi Piantedosi, gjatë ceremonisë për 173-vjetorin e Policisë së Shtetit italian, në prani të kryeministres Giorgia Meloni.

Ai theksoi se strukturat shqiptare do të përdoren si qendra paraburgimi për emigrantët që janë urdhëruar të dëbohen, deri në riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës.

“Transferimi i 40 të huajve të parë është i afërt, me qëllim final largimin e tyre nga territori evropian”, shtoi Piantedosi.