Një grup piktorësh durrsakë, kanë zhvilluar në qytetin e Beratit ekspozitën “Durrës Art 2016”.  Plot 45 vepra, që i përkasin stileve të ndryshme kanë qëndruar për 15 ditë në muret e galerisë “ Edward Lear”.  Elio Bajramaj, Jonida Kanto, Bajram Sallaku, Çaush Vathi, Marena Angjele Bregu, Marjana Goxhabelliu, Ilir Berhami, Ivo Moja, Franc Priska dhe Florian Bregu kanë përfaqësuar denjësisht vlerat e qytetit bregdetar.

Kuratori i kësaj ekspozite Qazim Kërtusha u shpreh për “Durrës Lajm” se qyteti i Durrësit ka një potencial të madh, që është më i rëndë se forca e rëndesës. Të kurosh një ekspozitë sipas tij është një punë e vështirë, por edhe e bukur. Duhet të kujdesesh për aspektin estetik, të menaxhosh energjitë e të gjithë piktorëve, për të krijuar një harmoni perfekte edhe pse veprat veprat i përkasin stileve të ndryshme.

“Kjo ekspozitë e suksesshme shfaqi vlerat e artistëve durrsakë dhe i dha ngjyrë Beratit 2400- vjeçar, qytetit të Onufrit me të kuqen e tij të bukur”-shtoi më tej kuratori, skulptori e njëkohësisht restauratori i Muzeut Arkeologjik të Durrësit.

Qëllimi personal i Kërtushës si profesionist, me anë të realizimit të këtyre ekspozitave kolektive, është që të japë kontributin e tij në rritjen e cilësisë.

“Durrës Art 2016” u zhvillua me mbështetjen e Drejtorive të Kulturës të bashkive Durrës dhe Berat. Artistët vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëri- tjetrin dhe së shpejti pritet të ketë një ekspozitë të piktorëve beratas në qytetin bregdetar, për të shkëmbyer edhe një herë këtë eksperiencë që rezultoi e suksesshme.

R.O.