Piktori Arben Kristani ka hapur këto ditë në Durrës ekspozitën e tij të tretë brenda pak vitesh në qytetin bregdetar. Në ekspozitë janë 80 tablo të punuar në teknika të ndryshme, ku ato me akuarele dallohen për thjeshtësinë e shprehjes, ndërsa në ato të punuara në vaj dhe në akrilik ndjehet shqetësimi i artistit për temat e mëdha.

Në veprat e Arben Kristanit paraqiten peizazhe të natyrës në diversitetin gjeografik dhe stinor, portrete, kompozime dhe natyra të qeta, si dhe një seri punimesh në allçi dhe gdhendje në dru.

“Kjo ekspozitë është një kërkim në teknika të ndryshme. Unë jam një udhëtar në rrugëtimin tim artistik në kërkim të parajsës artistike”– tha piktori Arben Kristani në çeljen e ekspozitës.

Njerëz të njohur të artit në Durrës, ndër të cilët skulptori Idriz Balani, në fjalën e mbajtur në çeljen e ekspozitës nënvizuan talentin e piktorit vlonjat, veprat e të cilit janë pritur gjithnjë shumë mirë në Durrës.

Kjo është ekspozita e 10-të personale e artistit 50-vjeçar, i cili ka ekspozuar gjithashtu përkrah kolegëve vendas dhe të huaj në Indonezi, Itali, Sllovaki, Hong Kong dhe Vietnam.

Ekspozita e hapur në galerinë e artit pamore “Nikolet Vasia” ka tërhequr interesimin e artdashësve dhe kolegëve të piktorit Kristani. Ajo do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit janar.