Artisti Arben Kristani ka çelur mbrëmjen e kaluar ekspozitën e tij personale në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” të Durrësit.
Tablotë në teknikën e vajit janë ekspozuar në një nga sallat e galerisë, ndërsa në tjetrën kanë zënë vend punimet në akuarel, si dhe një grup bocetesh me portrete në allçi.
80 punimet kanë kanë ngjallur interesimin e artdashësve durrsakë të cilët vlerësojnë gamën e ngjyrave dhe tonalitetet emocionale të piktorit 51-vjeçar.
Tablotë rrokin emocione të zonave kodrinore, me fshatrat dhe manastiret e fshehur mes gjelbërimit, ndërsa nuk mungon peisazhi detar dhe anijet, jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga impresionet e hedhura në telajo gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
Pjesa më e madhe e tablove dhe boceteve janë punuar gjatë viteve të fundit, duke dëshmuar pjekurinë artistike të piktorit, i cili ka hapur disa ekspozita në qytete të ndryshme të vendit.
Autori me origjinë nga Gjirokastra është formuar si piktor në qytetin e Korçës dhe që nga viti 2007 jeton dhe punon në Durrës.
Ekspozita e tij do të qëndrojë e hapur në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” për tre javë radhazi.
G.K.