9 shtator 2015 – Piktori durrsak Shpend Sherifi është pjesë e filmit hollivudian “Stand up guys” (Njerëz të besës), me aktorët e mëdhenj Al Paçino dhe Christopher Walken. Sherifi ka realizuar 8 tablo, të cilat janë vendosur në shtëpinë-studio të njërit prej personazheve të filmit, piktorit Dok, interpretuar nga Christopher Walken. Njëra nga tablotë hap dhe mbyll filmin dhe sipas skenarit komentohet gjatë për përmbajtjen e saj nga Vali, personazhi i Al Paçinos.
Tre vjet pas realizimit të filmit, Sherifi tregon se ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes pas një konkursi dhe më pas ka ndjekur nga afër në Hollivud xhirimet e realizuara nën drejtimin e regjisorit Steven Fisher. Ai tregon edhe disa nga fotot me artistët në sheshin e xhirimeve. Në titrat e realizuesve, në fund të filmit “Stand up guys” emri i piktorit të tablove shfaqet si “Art work – Shpend de Santis Sherifi”.
Shpend Sherifi është diplomuar në degën e pikturës në shkollën “Mujo Ulqinaku” (sot “Jan Kukuzeli”) të Durrësit në vitin 1987. Ai u largua shumë shpejt në emigracion, fillimisht në Itali dhe më pas në SHBA.
/portali DurresLajm/