Me 78 vepra, kryesisht peizazhe të natyrës shqiptare, piktori 44-vjeçar nga Shijaku Ermir Llaftiu, ka çelur ekspozitën e parë personale “Shtegtimi i gjethes” në galerinë “Nikolet Vasia” në Durrës.
Ngjyrat e vendlindjes e kanë frymëzuar të realizojë me mjeshtëri punimet e tij, të cilat i shfaq për artdashësit durrsakë.
“Rrethinat e Shijakut kanë natyrë peizazhi me kodra të buta, me ngjyrat e verdha dhe të bardha që zakonisht godasin në mëngjes dhe është e veçantë nga të tjerat.
Kam dalë dhe në Durrës, Vollga, Porto Romano, ka dhe punime deti. Atë që njohim më shumë, mundohemi ta tregojmë edhe më tepër”, tregon për “DurrësLajm” Llaftiu.
Artisti shijakas ka mbaruar Akademinë e Arteve në arte konceptuale, por ndodhitë e fundit në vendin tonë, si: tërmeti, mbyllja gjatë karantinës etj, e shtynë drejt kalimit të një zhaneri tjetër, në përdorimin e sa më shumë ngjyrave në veprat e tij.
“Ndoshta edhe për shkak të mbylljes e karantinës, tërmetit, na bëri që t’i kthehemi ngjyrave, ndoshta sepse kishim nevojë për ngjyra, të cilat të gëzojnë”.
Llaftiu tregon se ka një mënyrë të pikturuari tradicionale, të shoqëruar edhe me elemente realiste, apo shpeshherë duke shfaqur edhe impresionin brenda veprave të tij.