Nga Gëzim Kabashi

Piktori i njohur Nikolet Vasia do të përkujtohet këto ditë në 70-vjetorin e lindjes me një ekspozitë të organizuar në galerinë e artit pamor që mban emrin e tij.

Nxënësit e shkollës “Jan Kukuzeli” do të jenë protagonistët e kësaj ekspozite për të cilën janë kujdesur kolegët e artistit të shquar dhe veçanërisht piktorja Shpresa Beqiri. Galeria e arteve pamore në qytet ka marrë emrin e piktorit Nikolet Vasia, vetëm pak muaj pas vdekjes së tij.

Piktori i ndjerë Nikolet Vasia ka punuar në të gjitha gjinitë e artit pamor: pikturë, skulpturë, mozaik, pikturë murale, vitrazh, skenografi dhe grafikë.

Nikolet Vasia u lind në Durrës, më 5.8.1947. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1966. Që nga ky vit deri në vitin 1970 ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku u diplomua për pikturë.

Ai ka lënë pas një trashëgimi të vërtetë artistike, që nis me një pafundësi skicash, dokumente skrupoloze të objekteve arkeologjike të zbuluara gjatë ekspeditave në qytetin antik. I diplomuar në Akademinë e Arteve që nga 1970-a për 14 vjet më radhë ai punoi si piktor dhe skicograf nën drejtimin e arkeologut të pasionuar Vangjel Toçi. Piktori durrsak u bë një nga konsulentët kryesorë në formulimin muzeal dhe artistik të muzeut etnografik dhe në projektin e muzeut të ri arkeologjik të Durrësit.

Por Nikolet Vasia nuk u ndal këtu.

Tablotë e tij “Rreth flamurit të përbashkuar”, “Kuvendi i burrave”, “Homazh për Kosovën”, “Tek arbëreshët” apo “Shote Galica” janë pjesë e fondit të veprave me temë historike.

Legjendat shqiptare për Rozafën, Doruntinën, Mujin dhe zanat, etj. u bënë tema të preferuara të tij, një pjesë e të cilave më pas u kthyen edhe në koleksione filatelike të pullave të Postës Shqiptare.

Vitet e fundit të krijimtarisë së tij atyre u janë shtuar edhe seritë e tjera “Përvjetori i OKB”, “200-vjetori i Revolucionit francez”, “Van Gog”, “Lojrat olimpike”, etj. Përveç mijëra punimeve në pikturë dhe skulpturë, Nikolet Vasia është autori i stemës heraldike të qytetit të Durrësit dhe shumë institucioneve të tjera.

Tablotë e Nikoletit nga Durrësi në Evropë e Amerikë 

Nikolet Vasia, së bashku me kolegun e ndjerë Gavril Priftuli janë autorë të mozaikut për çlirimin e Durrësit, instaluar në hyrje të Mauzoleut të Dëshmorëve të qytetit bregdetar, ndërsa një tjetër mozaik me përmasa të mëdha “Kushtrimi” ka zënë vend në hyrje të sallës së fitoreve ne Muzeun historik kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë. Po në këtë muze ndodhet edhe piktura në vitrazh (xham i ngjyrosur) e firmosur prej tij me titull “Tradita”.

Mjaft punëtor dhe produktiv Nikolet Vasia që nga viti 1972 ka pikturuar portretet e qindra fëmijëve, dhurata për prindët e tyre, një pjesë e të cilave tashmë janë shpërndarë nëpër Shqipëri dhe në vende të tjera të botës.

Ashtu si edhe tablotë e tjera të cilat ndodhen në duart e koleksionistëve në Itali, Rumani, Greqi, Belgjikë, Spanjë, Francë, SHBA, etj.

Që nga viti 1973 Nikolet Vasia ka hapur 12 ekspozita personale, jo vetëm në qytete të ndryshme të vendit, por edhe jashtë tij.

Duke iu referuar punimeve që ekspozoi në vitin 2007 në Las Vegas, me bashkëshorten piktore Shpresa Beqiri, drejtori hollivudian i fotografisë kinematografike Mishel Hugo shkruan “Nikolet Vasia ofron aq shumë sa nuk di të përzgjedh. Ngjyrat që ai përdor janë plot jetë, atraktive dhe abstragimi i personazheve është magjepsës”.

Kritiku amerikan R. Baird Shuman nënvizon se “Gjërësia e punimeve të Nikoletit është e klasit botëror, që të godet me energji dhe imagjinatë”.

Kritikët përtej Atlantikut nuk e dinin se geni i tij gjinor dhe artistik rridhte nga Kolë Idromeno, artisti shumëplanësh shkodran i fillimshekullit të 20-të, një nga më të shquarit e artit figurativ shqiptar.

Nikolet Vasia ndërroi jetë më 28 korrik 2011, vetëm një javë para se të festonte përvjetorin e 64-rt të lindjes, duke lënë pas një pasuri të artistike mjaft të vyer.