DURRES, 11 mars 2013 – Piktori shijakas, Arben Shira, hap nesër në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, një ekspozitë personale me 63 tablo, të realizuara në periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij artistike.
Artdashësi durrsak pati mundësi të njihej me krijimtarinë e piktorit Shira janarin e vitit të kaluar, kur artisti hapi ekspozitën e tij të parë personale në atdheun e tij.
Siç bën të ditur Arben Shira për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” në ekspozitën e tij antologjike në kryeqytet do të ekspozohen për artdashësit kryeqytetas 63 tablo të realizuara në Itali, vend ku artisti jeton prej 20 vitesh. Në ekspozitë janë përfshirë 20 tablo të ekspozuara edhe më parë, ndërsa pjesa tjetër janë të gjitha punime të panjohura për publikun shqiptar.
Kur sheh pikturat e Shirës, në mendje të vjen përditshmëria njerëzore, kryesisht ajo e zonave rurale. Në pikturat e tij, Shira sjell me realizëm e nostalgji një Shqipëri pak arkaike, të cilën ritmi i shfrenuar i jetës në qytete ka nisur ta zbehë, por që në fshat është ende prezente.
Krijimtaria artistike e Shirës është e ndarë në tre faza; realiste, stilizuese dhe moderniste.
I penalizuar në vendin e tij, për shkak të regjimit të kohës, për të ndjekur liceun artistik për pikturë, ai i plotësoi studimet e tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Bari dhe në periudha të ndryshme kohore ka hapur ekspozita personale apo ka marrë pjesë në ekspozita së bashku me artistë të tjerë të rajonit të Puglias.
Ekspozita do të çelet nesër në orën 17.00 dhe do të qëndrojë e hapur deri ditën e dielë.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/