Një sukses i rëndësishëm për artisten durrsake Alketa Tragaj Myshketa, e cila sapo është shpallur “Artista d’Europa 2023” dhe është përzgjedhur në top pesëshen e piktorëve më të mirë kontemporan evropianë për të marrë pjesë në një ekspozitë në Paris, prillin e vitit të ardhshëm.
Vlerësimi për piktoren durrsake u bë një ditë më parë në një konkurs ndërkombëtar të zhvilluar në teatrin “San Babila” në Milano, Itali, nga një juri e përbërë nga emra të njohur të artit në vendin fqinjë.
Tragaj u prezantua në këtë konkurs ndërkombëtar me një tablo kontemporane, të titulluar “Fiori” (Lulet) të punuar me vaj në kanavacë.
Për artisten durrsake, përzgjedhja në top 5-en më të mirë të artistëve kontemporan dhe vlerësimi me titullin “Artista d’Europa 2023” ishte qershia mbi tortë, pasi konkurenca ishte mjaft e fortë mes shumë piktorëve nga e gjithë Evropa.
Ende nën emocionet e kësaj arritjeje të rëndësishme profesionale, ajo deklaron për “DurrësLajm” se me artin e saj synon t’u zbulojë njerëzve botën e saj.
“Mora pjesë në këtë konkurs ndërkombëtar të piktorëve kontemporanë nga e gjithë Evropa dhe u prezantova me pikturën “Fiori” ose “Lulet”, pasi është një tablo që për mendimin tim përcjell shumë ndjenjë.
“Në këtë pikturë jam munduar të arrij një ekuilibër delikat mes dritë-hijes, ku artisti plotëson spektrin e ngjyrave dhe gjen esencën e së bukurës. Qëllimi im si artiste është të krijoj art dhe nëpërmjet tij t’u zbuloj njerëzve botën time”.
Megjithëse nënë e një vogëlusheje vetëm 9 muajshe, të cilën e mori me vete në kunkursin ndërkombëtar të zhvilluar në Itali, piktorja Tragaj nuk ka hequr dorë nga arti i saj.
Viti i ardhshëm do ta gjejë goxha të impenjuar me punimet e radhës, ndërkohë që pjesëmarrja më 26 prill 2024 në ekspozitën në Paris do të jetë një tjetër sfidë e bukur profesionale për piktoren durrsake.
M.B.