103 tablotë e piktores Emjona Stasi, që janë ekspozuar këto ditë në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” kanë gjetur vëmendjen dhe interesimin e ardashësve durrsakë.
Të punuara që të gjitha në gjininë e peisazhit, tablotë e Stasit i bashkon dashuria për qytetin e saj.
Rrugicat, muret mesjetare, porta e Kalasë, kanatat e dyerve të hershme, kolonat me kapitele mbi krye, dhe gjithçka që e lidh piktoren me Durrësin janë objekti i penelit të saj.
Brenda ekspozitës Emjona Stasi i rikthehet me shumë sukses temave të preferuara, duke shfrytëzuar talentin në grafikë.
55 punimet-miniaturë në gjinine e grafikës e risjellin qendrën historike të Durrësit, sikur të ishin kartolina nga qyteti dhe që mund të udhëtojnë në të gjithë globin.
Shqetësimi për peisazhet e Durrësit, që po humbasin ndën hijen e shumëkatësheve, i jep më shumë vlerë pikturës së Emjona Stasit, e cila këtë herë i ka kushtuar një ekspozitë të plotë ruajtjes së identitetit të qytetit.
Kujdesi për ekspozimin e tablove në grupe të veçanta, sipas gjinive dhe vendeve që e kanë frymëzuar, i japin një tjetër vlerë ekspozitës së Emjona Stasit, që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj.
Emjona Stasi që nga viti 1977 ka marrë pjesë në rreth 50 ekspozita të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, ndërsa punimet e saj i gjen përveç fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe asaj të Durrësit ndodhen edhe në arkiva private në Itali, Maqedoni, Greqi, Gjermani, Hollandë, Kanada dhe SHBA.
G. K.