“Mrekullia e lapsit” është ekspozita e dytë personale e piktores Zengjine Behaj Naçi. 65 punime në grafikë, akuarel dhe bojera vaji u ekspozuan në galerinë “Nikolet Vasia”.

Punime mjaft të realizuara artistikisht ishin portretet e figurave të shquara të kombit, të punuara me laps. Piktorja Naçi rrëfen se pasioni i saj i vërtetë mbetet grafika.

“Kam punuar me një pasion të jashtëzakonshëm për këtë lloj garfike që quhet “Mrekullia e laspit”. E kam titulluar jo paqëllim “Mrekullia e lapsit” sepse lapsi është ai që ka ringjalluar këto figuar kaq të rëndësishme. Arti i vizatimit më ka ndjekur gjatë gjithë rrugëtimit tim, që kur kam qenë në moshën 3-vjeçare e deri tani.”,- u shpreh piktorja Naçi.

Një vend të veçantë në ekspozitë zënë edhe peisazhet, natyrat e qeta etj. Piktorja Naçi ka përdorur ngjyra të ndezura për t’i dhënë dritë dhe jetë tablove.

“Gjithmonë në jetën time më kanë tërhequr ngjyrat e ndezura, të forta dhe i pëlqejë shumë ato. I kam nxjerrë në mënyra të ndryshme. Figurat e femrave janë paraqitur nga ana ime me ngjyrat më të ndezura”,- tha Naçi.

Një mbështetje e madhe për karrierën e piktores Naçi ka qenë nëna e saj, të cilën e ka përjetësuar në telajo.

Kjo është ekspozita e dytë pas 4 vitesh e piktores Zengjine Naçi, e cila u mirëprit nga artdashësit e shumtë durrsakë dhe kolegët e saj artistë.