LONDER, 19 mars 2013 – Një pikturë që ishte ekspozuar në shtëpinë e dikurshme të Francis Drake, mund të jetë autoportret i mjeshtrit danez, Rembrant, që ka vlerën përafërsisht 20 mijë funte. Për katër dekada, kjo vepër në të cilën është pasqyruar Rembrandt në moshën 29-vjeçare, besohej se ka qenë e pikturuar nga njëri prej nxënësve të artistit. Por, sipas ekspertit Ernst van de Watering, vepra është pikturuar nga vetë piktori me nam, në shekullin shtatëmbëdhjetë. 

Nëse konfirmohet, kjo pikturë – që i ishte dhënë “National Trust” më 2010 – do të jetë piktura e vetme e Rembrandtit që ndodhet në koleksionin e kësaj organizate humanitare. Piktura ka qenë e ekspozuar në “Buckland Abbey” në Devon që nga viti 2010, ku do të qëndrojë edhe për tetë muajt e ardhshëm para se të përfundojnë të gjitha hulumtimet dhe ekzaminimet e nevojshme. Vepra e cila daton në vitin 1635 dhe është e “firmosur” nga Rembrandt, ka qenë një lloj misteri për 40 vjet pasi specialisti i veprave të Rembrandtit, Horst Gerson, në vitin 1968 kishte sugjeruar se piktura ka mundur të jetë realizuar nga njëri prej studentëve të artistit. Anëtarët e Projektit Hulumtues për Rembrandtin kishin ardhur në të njëjtin përfundim, pasi e kishin ekzaminuar pikturën në po atë vit. Ata kishin publikuar gjetjet e tyre më 1989.

Historiani i artit Van de Wetering – i cili po ashtu është kryesues i “Rembrandt Research Project – ka thënë se ekspertët kishin konstatuar se sipas të gjitha gjasave piktura ishte bërë nga njëri prej studentëve të Rembrandtit, sepse ishte realizuar në stilin e piktorit.

“Por, për 45 vjet, ne kemi mbledhur shumë të dhëna lidhur me autoportretet e Rembrandtit dhe luhatjet në stilin e tij”, ka thënë ai.

Sipas “National Trust”, analizat e reja të bëra nga Van de Wetering, bazuar në studimin me rreze ultra violete të pikturës të publikuar më 2005 dhe ka gjetur prova rrethanore se vepra ishte realizuar nga vetë Rembrandt.

Van de Wetering e ka ekzaminuar pikturën përsëri në “Buckland Abbey” dhe kishte thënë se ai kishte parë të njëjtën brushë dhe teknikë në pikturat tjera të Rembrandtit të asaj periudhe, duke arritur te konkludimi se ishte realizuar nga vetë mjeshtri danez. 

“Është e mrekullueshme të mendojmë se kemi pasur një vepër origjinale të Rembrandtit në muret e Buckland Abbey në këto vjetët e fundit”, ka thënë Jez McDermott, menaxher i “National Trust” në “Buckland Abbey”.

“Asnjëherë nuk kemi guxuar të mendojmë se mund të jetë origjinale”, ka shtuar ai.

David Taylor, kurator i pikturave dhe skulpturave në “National Trust” ka thënë se Rembrant ka qenë njëri nga artistët më të mëdhenj të së ashtuquajturës “periudha e artë daneze”. “Gjatë karrierës së tij, ai ka realizuar një numër të madh të autoportreteve, dhe imazhet e tij ishte mjaft të admirueshme nga koleksionuesit”, ka thënë ai. “Ky portret, tani është një nga veprat më të famshme artistike që kemi ne dhe do të jetë e vetmja vepër e Rembrandtit në koleksionin e ‘National Trust’ që ka më përafërsisht 15 mijë e 500 piktura”. Në portretin me parametra 91 e 72 centimetra, Rembrandt ka të veshur një pelerinë të zezë me disa dekore ngjyrë kafeje. Piktura në fillim i kishte takuar Princit të Liechtenstein dhe më pas i është dhuruar “National Trust”. Rembrandt Harmernszoon van Rijn, i cili ka vdekur në vitin 1669 në moshën 63-vjeçare, është një prej mjeshtërve të autoportreteve. Mendohet se ai ka realizuar 40 deri në 50 piktura të vetes së tij.