Janë 463, 97 më shumë se një ditë më parë, të vdekurit nga koronavirusi në Itali. Të sëmurët janë 7985, me një rritje prej 1598 persona më shumë se të dielën.
Lajmi i mirë është se pacienti 1 ka dalë nga terapia intensive dhe tashmë nuk është i lidhur me respiratorin, por merr frymë vetë. 38-vjeçari është shtruar në Pavia, ndërsa bashkëshortja e tij që është 8 muajshe shtatzënë, është kthyer në shtëpi pak ditë më parë.
Lajmi i keq është se masat drastike të marra mund të vijojnë për një kohë të gjatë, sepse piku i sëmundjes duket i largët. Sipas një parashikimi teorik piku i koronavirusit mund të arrihet në mes të muajit prill në Lombardi dhe në rajone të tjera.
Ky është parashikimi i epidemiologes Stefania Salmaso, që ka marrë si model pandeminë e gripit të vitit 2009. Në atë periudhë, Salmaso ishte drejtuesja e Qendrës Kombëtare të Epidemiologjisë, të Institutit superior të shëndetësisë (Iss), raporton Ansa.





