Plot 20,378 pasagjerë kanë hyrë në vendin tonë përmes portit të Durrësit këto 3 ditët e fundit (e shtunë, e diel dhe e hëna e 7 gushtit), duke shënuar pikun e fluksit të pushuesve që vijnë në Shqipëri gjatë këtij sezoni turistik.
Nga të dhënat e APD-së, “DurrësLajm” mëson se e diela ka qenë edhe dita me fluksin më të madh, ku mbërritën 8669 pasagjerë dhe 2934 mjete me 6 tragete (5 nga Bari & 1 Ankona). Ndërsa të shtunën erdhën 7245 udhëtarë me 6 tragete (5nga Bari & 1 Ankona), teksa këtë të hënë kanë mbërritur 4464 pasagjerë dhe 1224 mjete me 3 tragete (2 nga Bari & 1 Ankona).
Për të përpunuar në kohë rekord pasagjerët dhe mjetet, është rritur ndjeshëm numri i sporteleve në terminalin e trageteve. Në krahasim me vitin e kaluar, janë 32 sportele, 20 për automjetet dhe 12 sportele për pasagjerët këmbësorë, që kalojnë në terminal.
Ndërsa prej 20 korrikut linjat e trageteve nga Porti i Durrësit drejt Barit/Ankonës dhe anasjellas, operojnë me lundrime të dyfishta.