Ministria e Aviacionit të Indisë ka njoftuar zyrtarisht se aeroplani i pasagjerëve Boeing 787-8 Dreamliner u përplas vetëm pak sekonda pas ngritjes nga pista, pasi kishte arritur një lartësi prej 200 metrash.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth 2 kilometra larg aeroportit të Ahmedabad-it, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 279 personave.
“SOS”, ishte mesazhi i fundit i transmetuar nga piloti i fluturimit Air India 171, që ishte nisur drejt Londrës.
Sipas autoriteteve indiane të aviacionit, kapiteni Sumeet Sabharwal lëshoi thirrjen emergjente më pak se një minutë pas ngritjes nga aeroporti, në orën 13:39 të së enjtes. Por, kur kontrolli i trafikut ajror iu përgjigj, nuk mori më asnjë përgjigje nga kabina. Avioni u rrëzua disa sekonda më vonë.
Hetimet paraprake tregojnë se avioni, i cili peshonte rreth 227 ton, u përplas në zonën Meghani Nagar, duke goditur hotelin ku banonin mjekët dhe familjarët e tyre. Tragjedia u kthye në një nga aksidentet ajrore më të rënda në dekadat e fundit në Indi.
Nga 242 personat në bord, vetëm një person mbijetoi. Përplasja shkaktoi gjithashtu vdekjen e të paktën katër studentëve të mjekësisë, gruas shtatzënë të një mjeku, si dhe disa punëtorëve e shitësve ambulantë që ndodheshin në zonë.
Autoritetet indiane nuk dhanë asnjë koment mbi shkaqet e mundshme të rrëzimit të avionit të tipit Boeing 787-8 Dreamliner, por theksuan se “çdo teori që qarkullon do të hetohet në mënyrë të plotë”.
Ministri i Aviacionit Civil, Ram Mohan Naidu Kinjarapu, deklaroi se njëra nga kutitë e zeza është gjetur dhe aktualisht po analizohet nga ekspertët. Sipas tij, rezultatet e para do të jenë të gatshme brenda tre muajve dhe do të hedhin dritë mbi shkaqet reale të aksidentit.
Një ekip prej katër ekspertësh të aviacionit nga Britania e Madhe ka mbërritur në Ahmedabad për të ndihmuar në hetimet.
Ndërkohë, dhimbja dhe zemërimi po rriten mes familjarëve të viktimave, që janë mbledhur pranë Spitalit Civil të qytetit, ku po dërgohen trupat e pajetë. Shumë prej tyre janë ende në pritje të identifikimit përmes ADN-së dhe nuk kanë marrë ende informacion mbi kthimin e trupave të të afërmve të tyre.





