Stefano Pioli hyn në historinë e Milanit si trajneri me bilancin më negativ në derbi. Ai ka pësuar sot humbjen e 10 kundër Interit. Padyshim më e hidhura për të, pasi përkoi edhe me fitimin e titullit kampion të zikaltërve. I pyetur nga gazetarët në konferencën për shtyp pas përfundimit të ndeshjes nëse ciklit të tij te Milani i ka ardhur fundi, Pioli është përgjigjur se ndihet mirë në krye të kuqezinjve.
Madje u kujton mediave se një vit më parë u përfol për t’u larguar edhe Simone Inzagi, i cili sot u shpall kampion. “Ka përfunduar cikli? Nuk e di. Përpara 12 muajve edhe Inzagi dukej për t’u flakur tutje, por më pas bëri atë që bëri. Unë jam mirë këtu. Duhet të përfundojmë kampionatin mirë dhe të flasim për të në fund”, ka deklaruar ndër të tjera Stefano Pioli.