TIRANE– Kur procedurat e divorcit të tyre u bënë publike në media, ndarja mes dy emrave mjaft të njohur të muzikës shqiptare bëri shumë bujë. Për më tepër se ndarja mes tyre nuk qe aq e qetë. Por duket se tashmë kur kanë kaluar disa vite nga ajo kohë, Çako dhe Mula kanë arritur të rivendosin marrëdhënie miqësore me njëri tjetrin.
Në një intervistë për Adi Krastën kantautori i njohur Pirro Çako rrëfen se djali i tyre është ndoshta arsye kryesore e rivendosjes së marrëdhënieve të miqësisë mes ish çiftit të famshëm.
“Po, kam një marrëdhënie miqësore me të. Pse mos ta kem këtë marrëdhënie?! Kam një djalë dhe kam shumë nevojë të komunikoj me mamanë e djalit, sepse është për të mirën e tij… me kalimin e kohës gjërat qetësohen. Sot po falin njerëzit gjakun; shumë familje janë vrarë dhe vjen një moment që falin, e jo më një çift që u nda e që nga martesa kanë lindur edhe një fëmijë. Unë kam një marrëdhënie normale me Invën dhe sa herë që kemi nevojë të diskutojmë rreth djalit, që ai të ketë një ecuri të mirë, që të jetë nën kujdes, komunikojmë. Kjo është marrëdhënia jonë, që ua sugjeroj të gjithë prindërve që janë në kushtet e mia”,- u shpreh Çako.