Këtë sezon turistik, jo vetëm plazhet buzë Adriatikut, por edhe pishina olimpike në Durrës ka pasur një frekuentim të madh. Edhe pushues të huaj kanë zgjedhur pishinën si vendin ku marrin instruksione noti.
“Noti ka qenë sport kryesor në Durrës dhe këtë vit pishina ka qenë shumë e frekuentuar, jo vetëm nga fëmijët dhe vendasit, por edhe nga pushuesit e huaj, si amerikanë, belgë dhe francezë, zviceranë, etj.”, shprehet Eduard Berdaku, përgjegjës i pishinës olimpike.
Jo të gjithë do të bëhen notarë, por noti është një nga sportet më të shëndetshme dhe këtë e vene re edhe fëmijet.
“Vij shpesh këtu, për të shmangur TV, kompjuterin dhe për të bërë not”, “E frekuentoj çdo ditë sepse më ndihmon në shëndetin tim fizik e mendor. Mua më pëlqen shumë aktiviteti sportiv dhe shmang pajisjet elektronike që fëmijët e moshës sime i përdorin shumë. Noti të ndihmon shumë fizikisht”,”Merrem me not shumicën e kohës dhe prindërit janë shumë të kënaqur pasi nuk merrem me gjëra që nuk më duhen. Kam shumë qejf që të shkoj nëpër gara”, shprehen disa nga fëmijët, të cilët frekuentojnë pishinën.
Përgjegjësi i pishinës publike, Eduard Berdaku, fton prindërit dhe fëmijët të frekuentojnë pishinën në çdo stinë të vitit, ndërsa më të talentuarit do të përfshihen në ekipet zinxhir të moshave të sport klub “Teutës”.
Durrësi është qyteti ku nisën për herë të parë garat publike të notit në Shqipëri, mes djemve durrsakë dhe dokerëve (punonjësve të ngarkim-shkarkimit të portit). Në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, u krijua dhe e para shoqatë kombëtare e notit, që nisi organizimin e kampionateve kombëtare, të cilat gjetën mbështetje masive, duke u kthyer në manifestime dhe festa të vërteta të tifozërisë vendase.
/ Top Channel